
KFOR-i shënon 26-vjetorin e themelimit, Barduani: Ushtarët rrezikojnë veten për të siguruar paqe në Kosovë
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, ka shënuar 26-vjetorin e themelimit me një ceremoni të mbajtur në Shtabin e KFOR-it, në kampin “Film City” në Prishtinë.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, ka udhëhequr ceremoninë. Ai e ka hapur atë me vendosjen e një kurore dafine në monumentin e të rënëve në shtabin e KFOR-it. Ceremonia është ndjekur nga personeli i të gjitha 33 kombeve kontribuuese të trupave, përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s, ka thënë KFOR-i në një njoftim.
“Sot, nderojmë përkushtimin dhe guximin e ushtarëve të KFOR-it, të cilët rrezikojnë veten në vijën e detyrës për të siguruar paqe dhe stabilitet për të gjitha komunitetet në Kosovë, nën një mandat të OKB-së. Që nga fillimi i misionit në vitin 1999, dyqind e njëzet pjesëtarë të shërbimit të KFOR-it kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës. Shembulli i tyre duhet të na frymëzojë në detyrat tona të përditshme për përmbushjen e misionit të KFOR-it”,
“Si misioni më jetëgjatë në historinë e Aleancës Atlantike, dhe aktualisht më i madhi, KFOR pasqyron angazhimin e qëndrueshëm dhe konkret të NATO-s për ta mbrojtur sigurinë në të gjithë Kosovën dhe stabilitetin rajonal. Përpjekjet e KFOR-it mbeten thelbësore në mbështetjen e përparimit të nevojshëm politik drejt një stabiliteti afatgjatë në rajon”, citohet të ketë thënë komandanti i KFOR-it.