KGJK organizon testin me shkrim për kandidatët për gjyqtarë në lëminë penale
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka organizuar sot testin me shkrim në lëminë penale për kandidatët për gjyqtarë, në kuadër të procesit të rekrutimit për 15 pozita të gjyqtarëve në nivelin e Gjykatave Themelore të Republikës së Kosovës.
Në këtë fazë të testimit kanë marrë pjesë gjithsej 95 kandidatë, të cilët kishin kaluar më parë testin kualifikues. Nga ta, 50 janë femra dhe 45 meshkuj. Testi është mbajtur në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri.
Me qëllim të rritjes së transparencës dhe integritetit të procesit të rekrutimit, Komisioni për Rekrutimin e Gjyqtarëve ka përpiluar testin me shkrim në ditën e mbajtjes së testimit, duke u fokusuar ekskluzivisht në lëminë penale.
Procesi i testimit është mbikëqyrur nga anëtarët e Komisionit për Rekrutim të KGJK-së, ndërsa për monitorimin e tij kanë qenë të pranishëm edhe përfaqësues të partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), si dhe Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD).
Testi me shkrim përbën fazën e dytë të procesit të përgjithshëm të rekrutimit të gjyqtarëve të rinj, i cili menaxhohet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës në përputhje me standardet e avancuara ndërkombëtare. \Bleona Potoku\.
Njoftimi i plotë: https://www.facebook.com/share/p/1FCRDAngUS/



