Kica-Xhelili, Vjosa Osmanit: Mandatim pa numra nuk ka, le t’ia kërkojë LV-së listën e nënshkruar
Doarsa Kica-Xhelili, nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka dalë me një mesazh ndaj Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, në dritën e propozimit të ri të Vetëvendosjes për të dërguar mandatar për qeveri, Glauk Konjufcën.
Kica-Xhelili ka thënë se “mandatim pa numra nuk ka”, ndërsa ka kërkuar nga Osmani që të kërkojë dëshminë e votave prej 61 nga Vetëvendosje.
“Mandatim pa numra nuk ka. Nëse presidentja i beson pretendimit të LV-së për 61 vota, le t’i kërkojë publikisht listën e nënshkruar të deputetëve shtesë që nuk votuar herën e kaluar. Shumica është detyrim kushtetues për mandatim, jo opsion. Nëse numrat mungojnë, Kushtetuta flet qartë: shpërndarja e menjëhershme e Kuvendit dhe zgjedhjet brenda 45 ditëve. Çdo hap tjetër është sabotim i sovranitetit të votës dhe shpërblim për 8 muaj mashtrim publik të LV-së për numra që s’egzistuan kurrë! Qytetarët meritojnë qeverisje, jo teatër demagogësh me sejmenë e servilë”, ka shkruar ajo në “Facebook”.
                        


                                        
                                        
                                        
                                        
                                        
                                        