
Kim Kardashian rrëfen ndarjen nga Kanye West: Nuk ndihesha më e sigurt, as emocionalisht e as financiarisht
Kim Kardashian ka zbuluar për herë të parë disa detaje të panjohura nga martesa e saj me reperin Kanye West dhe arsyet që çuan në ndarjen e tyre. Pothuajse tre vjet pas përfundimit të martesës gjashtëvjeçare, ylli i “reality show”-it ka folur hapur për vështirësitë që hasi për shkak të problemeve të tij me shëndetin mendor.
“Në një moment thjesht kishte shumë gjëra që nuk mund t’i përballoja më”, tregoi Kim në podcastin Call Her Daddy më 15 tetor. “Nuk më pëlqente ndjenja që dikush fliste keq për gjyshen e fëmijëve të mi, për hallat e tyre – të gjitha ato emocione. Nëse dikush ndjehet ashtu, atëherë ndoshta nuk duhet të jemi bashkë.”
Ajo kujtoi disa përvoja të çuditshme gjatë martesës, duke përmendur rastin kur Kanye, i cili kishte ndarë publikisht diagnozën e çrregullimit bipolar në vitin 2016, kishte blerë pesë “Lamborghini” gjatë një prej episodeve të tij maniake.
“Do të kthehesha në shtëpi dhe papritur të gjithë do të ishin zhdukur”, tha ajo. “Më pas, në një ditë tjetër, kthehesha dhe kishim pesë ‘Lamborghini’ të reja. Pastaj në një episod tjetër, të gjitha zhdukeshin sërish”.
“Është shumë e vështirë kur zgjohesh dhe nuk e di çfarë do të ndodhë atë ditë,” shtoi Kim. “Mungesa e stabilitetit ishte problemi më i madh. Nuk ndihesha e sigurt – as emocionalisht, as financiarisht”.
Kardashian, e cila ka katër fëmijë me West, tha se përpiqej të ishte mbështetëse ndaj tij, por situata u bë e padurueshme:
“Kur e do dikë, dëshiron ta ndihmosh dhe ta mbështetësh që të përmirësohet. Por kur personi nuk është i gatshëm të bëjë ndryshime që janë të shëndetshme dhe të domosdoshme, atëherë marrëdhënia bëhet toksike dhe shumë e vështirë për t’u vazhduar”.
Ajo pranoi se vendimi për t’u ndarë nuk ishte i lehtë, sidomos për shkak të fëmijëve. “Kur ke fëmijë, është gjithmonë më e vështirë të largohesh sesa të qëndrosh. Kjo ndryshon gjithçka në jetë”, tha Kim. “Por në fund kuptova se duhej të shpëtoja veten, që të mund të isha një nënë më e mirë për ta. Mendoj se kur të rriten, do ta kuptojnë”.
Kim pohoi se fëmijët jetojnë me të shumicën e kohës, por ajo përpiqet të ruajë një marrëdhënie të shëndetshme mes tyre dhe babait të tyre. “Nuk është e lehtë,” pranoi ajo, duke shtuar se kanë kaluar muaj që prej herës së fundit që kanë folur. Ajo u shpreh e irrituar me zërat që thonë se po i pengon fëmijët të takohen me Kanye.
“Nuk e kam bërë kurrë një gjë të tillë. Kjo nuk është rrëmbim — është divorc”, theksoi ajo.