Kina fut në karantinë 28 milionë banorë

13 janar 14:06

Të mërkurën Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë në  Kinë raportoi 115 raste të reja me koronavirus në mbarë pjesën kontinentale, nga 55 që raportoi një ditë më parë.

Mësohet se 107 raste janë infektime lokale, shumica prej të cilave në provincën Hebei pranë Pekinit, ndërsa pjesa tjetër në provincën verilindore Heilongjiang.

Vala e re e infektimeve vjen në prag të Vitit të Ri Hënor, kur tradicionalisht miliona kinezë udhëtojnë nga vendi i punës drejt familjeve. Shumë pak vetë pritet të udhëtojnë këtë vit.

Një shpërthim masiv i infeksionit nuk ka gjasa të ndodhë, nëse zbatohen masat parandaluese dhe të kontrollit, ka deklaruar Feng Zijian, zëvendësdrejtor i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

Vala e re e infeksioneve vjen një ditë para se një ekip ekspertësh i Organizatës Botërore të Shëndetësisë të mbërrijë në Wuhan. Mësohet se ekipi do të qëndrojë për 14 ditë në karantinë.

Këto zhvillime vijnë në sfondin e lajmeve jo të mira për efektshmërinë e vaksinës kineze të zhvilluar nga firma Sinovac. Provat klinike që u zhvilluan në Brazil treguan se ajo është 50.4% efikase.

Ky rezultat është shumë më i ulët se të tjerat e publikuara kur vaksina mori miratimin nga rregullatorët kinezë. Firma Sinovac me seli në Pekin zhvilloi vaksinën CoronaVac, që ka brenda një virus jo aktiv.

Deri tani disa vende, si Indonezia, Turqia dhe Singapori kanë porositur doza të kësaj vaksine. Vetë kompania është zotuar të prodhojë këtë vit 1 miliardë doza vaksinash./oranews/

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri Benjamin Netanyahu ka premtuar se deri në fund të…