
Kina kufizon blerjet e pajisjeve mjekësore nga BE-ja pas masave të Brukselit
Ministria e Financave e Kinës njoftoi të dielën se do të kufizojë blerjet qeveritare të pajisjeve mjekësore nga Bashkimi Evropian që kapin vlerën mbi 45 milionë juanë (rreth 6.3 milionë dollarë), si kundërpërgjigje ndaj masave kufizuese të marra nga Brukseli.
Ky vendim vjen pas përkeqësimit të marrëdhënieve tregtare mes dy palëve, pasi BE-ja vendosi tarifa ndaj automjeteve elektrike të prodhuara në Kinë dhe Kina reagoi me vendosjen e taksave mbi importet e alkoolit evropian.
Muajin e kaluar, Bashkimi Evropian ndaloi pjesëmarrjen e kompanive kineze në tenderë publikë për pajisje mjekësore me vlerë mbi 60 miliardë euro në vit, me arsyetimin se kompanitë evropiane nuk gëzojnë qasje të barabartë në tregun kinez. Vendimi u mor në kuadër të Mekanizmit Ndërkombëtar të Prokurimeve të BE-së, në fuqi që nga viti 2022.
Ministria kineze e Tregtisë reagoi ashpër ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar si proteksionist dhe të njëanshëm. “Pavarësisht vullnetit të mirë dhe sinqeritetit të Kinës, BE-ja ka këmbëngulur të ndërmarrë masa kufizuese dhe të ngrejë barriera të reja,” thuhet në deklaratën e saj.
Pekini paralajmëroi më herët këtë muaj se do të ndërmerrte “masa të nevojshme”, duke sinjalizuar se përplasja tregtare mes Kinës dhe BE-së mund të thellohet edhe më tej.