Kina po u instalon njerëzve kamera në shtëpi

28 prill 2020 | 11:50

Mëngjesin pasi Ian Lahiffe u kthye në Pekin, gjeti njerëz që po montonin një kamerë në murin jashtë derës së apartamentit të tij. Lentja e saj drejtohej nga ai, thotë CNN. Pas një udhëtimi në Kinën jugore, irlandezi 34-vjeçar dhe familja e tij po fillonin karantinën e tyre dy-javore në shtëpi, një masë e detyrueshme e zbatuar nga qeveria kineze për ta ndaluar përhapjen e Koronavirusit të ri. Ian thotë se kur hapi derën pa që kamera po instalohej, pa asnjë paralajmërim.

“Të kesh një kamera të vendosur përpara derës kjo është një shkelje e jashtëzakonshme e privatësisë”, tha Lahiffe. “Është një vjedhje e madhe e të dhënave dhe nuk e di sa është legjitime”, shtoi ai. Edhe pse nuk ka asnjë njoftim zyrtar që të tregojë se është e detyrueshme vendosja e kamerave jashtë shtëpive të njerëzve në karantinë, ajo ka ndodhur në disa qytete të Kinës të paktën që nga muaji shkurt, sipas tre personave që rrëfejnë përvojën e tyre për CNN.

Në disa raste të rralla ato janë vendosur edhe brenda banesës. Kina aktualisht nuk ka ndonjë ligj të veçantë kombëtar për ta rregulluar përdorimin e kamerave të sigurisë, por ato janë bërë tashmë pjesë e rregullt e jetës publike: ato shpesh janë atje duke vëzhguar njerëzit kur kalojnë në rrugë, hyjnë në një qendër tregtare, darkojnë në një restorant, ngjiten në autobus apo edhe të ulen në bankat e shkollës.

Më shumë se 20 milionë kamera janë instaluar në të gjithë Kinën që nga viti 2017, sipas transmetuesit shtetëror CCTV. Por, burime të tjera sugjerojnë se kjo shifër është shumë më e lartë. Sipas një raporti nga IHS Markit Technology, Kina ka instaluar 349 milionë kamera mbikëqyrje që nga viti 2018, gati pesë herë më shumë se numri i kamerave në Shtetet e Bashkuara.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Yossi Yovel, Maya Weinberg – Departamenti i Zoologjisë në…