Kina shpik dronin e parë amfib për të pushtuar ishuj

23 prill 11:44

Një kompani shtetërore kineze duket se ka shpikur dronin e parë amfib, të përshtatshëm për të kryer sulme në ishuj.

Mjeti amfib që mund të komandohet nga larg përmban dy lloje armatimesh, mund të transportojë trupa ose të angazhohet në luftime në mënyrë të pavarur.

Shkencëtarët kinezë thanë se këta dronë mund të dërgohen në një shkëmb ujor ose në një ishull, të ngjiten vetë dhe ta mbrojnë me armatimet që kanë në mënyrë të pavarur, ose edhe të sulmojnë armikun që mund të jetë aty.

Droni amfib quhet “Marine Lizard” dhe është 13 metra i gjatë, shtyhet me motor “hidroxhet” në ujë dhe ecën me zinxhirë në tokë.

Mjeti mund të lundrojë me 50 nyja në ujë, por në tokë duket i ngadaltë, me rreth 20 km në orë.

Droni ka një radar në bord, dy mitralozë dhe predha me hedhje vertikale të afta për sulm kundër anijeve apo kundër mjeteve ajrore.

Sipas ekspertëve kinezë, droni ka një aftësi të veçantë që mund të qëndrojë pa lëvizur për deri në tetë muaj, dhe të futet menjëherë në veprim pasi të komandohet nga larg.

Këto zhvillime vazhdojnë teksa Kina dhe SHBA kanë krijuar përplasje të shumta në lidhje me disa ishuj në Detin e Kinës Jugore.

Lajme të sponsorizuara