Kishte disponim që Kosovës t’i shpërblehej heqja e taksës, por Kurti e humbi mundësinë

22 maj 2020 | 09:48

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se ka pasur disponim te miqtë ndërkombëtarë që Kosovës t’i shpërblehet heqja e taksës. Por, ai ka thënë se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, e ka humbur mundësinë. Haradinaj ka treguar se gjatë kohës sa ka qenë kryeministër e ka vërejtur këtë disponim.

“Edhe Uashingtoni edhe Berlini, por edhe Serbia kanë pasur do kundëroferta, jo aq të sakta, por ka ekzistuar një ndjenjë e mirë, që në rast se Kosova e kthen tregun, me qenë e shpërblyer”, ka theksuar Haradinaj.

Kryetari i AAK-së ka thënë se ishte munduar t’ia sqarojë këtë gjë Kurtit kur i shkroi letër publike nga Uashingtoni por, sipas tij, ai nuk deshi të kuptojë. “Unë u mundova t’i sqaroj këtë z. Kurti me një letër publike nga Uashingtoni. Me vetë faktin prej nga shkruaja, mundohesha t’i çoja porosi që nuk është koha të hiqet taksa”, ka thënë ai.

Haradinaj ka theksuar se Kurti e tregtoi taksën për reciprocitet. Sipas tij, kjo gjë ka qenë e gabuar. “Nuk ka pasur nevojë që heqja e taksës të ndërrohet me reciprocitet, sepse reciprociteti është e drejtë e jona. Ajo ka mundur të bëhet kur të duam ne”, ka theksuar Haradinaj dhe ka shtuar se në qeverinë Hoti, e cila pritet të themelohet së shpejti, është i vështirë kthimi i taksës.

 

(B. D.: ‘Epoka e re’)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
I propozuari për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe…