Kjo Qeveri me luftën kundër Covid-19 u tregua e paaftë

21 janar 2022 | 18:02

Ish-ministri i Shëndetësisë, deputeti, Armend Zemaj, ka thënë se vendi sot po përballet me një rritje të jashtëzakonshme të numrit të infektuarve me variantin Omikron.

Ai përmes një postimi në llogarinë e vet né “Facebook” ka shkruar se nga paaftësia enorme qeverisëse ka rritje enorme edhe të të infektuarve.

“Duke u bazuar në informatat që vijnë nga profesionistët shëndetësor, numri i të infektuarve është shumë më i madh me variantin Omikron, mirëpo është i kamufluar me virusin e gripit sezonal”, ka shkruar Zemaj.

Postimi i plotë i Zemajt:

Sot, Kosova është duke u përballur edhe me një rritje të jashtëzakonshme të numrit të infektuarve me variantin Omikron si dhe me gripin sezonal.
Nga paaftësia enorme qeverisëse ka rritje enorme edhe të të infektuarve.
Duke u bazuar në informatat që vijnë nga profesionistët shëndetësor, numri i të infektuarve është shumë më i madh me variantin Omikron, mirëpo është i kamufluar me virusin e gripit sezonal.
Ndaj, jemi të detyruar që në vazhdimësi t’i bëjmë apel Qeverisë që të merret seriozisht me pandeminë Covid-19 si dhe me gripin sezonal.
Institucionet e Kujdesit Shëndetësor janë stërngarkuar duke u përballur me fluks të madh të pacientëve, ndërsa si pasojë e mungesës së përkrahjes nga Ministria e Shëndetësisë qoftë edhe me medikamente, bile edhe me ato më elementaret, gjendja sa bëhet edhe më e rënduar.
Kësaj Qeverie ia kemi thënë disa herë dhe po ia përsërisim prapë; lufta kundër pandemisë duhet të jetë prioritete real dhe jo vetëm deklarativ.
Lufta kundër pandemisë duhet të jetë betejë praktike dhe jo utopike.

Mos të harrojmë se, fillimisht ky kryeministër ka besuar e proklamuar se me ardhjen e tij në pushtet edhe Covidi ka filluar të zhduket. E ka bërë këtë në Parlamentin e Kosovës.
Ndërsa, përkundër pritjeve të tyre për zhdukje të virusit, kjo Qeveri me paaftësinë e saj vetëm sa e ka zgjeruar infeksionin në përmasa të jashtëzakonshme.
Mos të harrojmë se, javë më parë kjo Qeveri ka tentuar edhe që ta menaxhojë pandeminë online.
Covidi nuk është përhapur online, ndaj dhe përgjigjja e Qeverisë kundër tij nuk mund të jetë online. Mund të jetë e dëshirueshme, por është e pamundur.
Marrë shkas nga kjo qasje, nuk do të habitemi kur në ditët në vijim do të mund të na premtojnë se edhe vaksinimi mund të bëhet online. Edhe kjo mund të jetë e dëshirueshme, mbase edhe e besueshme nga ta, por është e pamundur.
Kjo Qeveri me luftën kundër Covid-19 u tregua e paaftë, ndërsa me qytetarët e padrejtë, sepse me keqmenaxhimin e saj gati sa nuk na infektoi krejt.
S’duhet harruar se kjo qeveri ka ditur që të ndryshojë edhe masat e veta në kohë rekord, sa që masa sfidonte masën e vendosur nga vetë ata.
Po ashtu, në kohën e kësaj Qeverie janë thyer të gjitha rekordet e zeza në botë; si për nga numri i të infektuarve ashtu edhe i të atyre që e kanë humbur jetën. Ndaj dhe kemi shqetësim se një gjë e tillë mund të na përsëritet vazhdimisht.
Për më tepër, mos të harrojmë se është kjo Qeveri që heronjtë e luftës kundër pandemisë – profesionistët shëndetësor i ka trajtuar me lëmoshë.
Është kjo Qeveri që e ka ulur buxhetin për Ministrinë e Shëndetësisë për rreth 60 milion euro.
Është kjo Qeveri që e ka mundësuar të ketë mungesa të theksueshme të barnave esenciale.
Është kjo Qeveri që gjatë pandemisë i largoi nga puna afërsisht 600 profesionistë shëndetësor.
Është kjo Qeveri që nga paaftësia e saj ka mungesë të koordinimit me komunat e vendit.

Është kjo Qeveri që nga paaftësia për organizimin e vaksinimit i ekspozonte qytetarët për infektim masiv, pikërisht aty ku ata shkonin për të shpëtuar.
Është kjo Qeveri që nga paaftësia e saj, në kohën kur më së shumti na duheshin vaksinat, ajo i hidhte.
Është kjo Qeveri që ka dëshmuar mungesë respekti, vlerësimi dhe motivimi për punën e profesionistëve shëndetësor.
Është pasojë e kësaj Qeverie që profesionistët shëndetësor po ikin jashtë jashtë vendit si kurrë më parë.
Në të njëjtën frymë, është pasojë e kësaj Qeverie që ka kontribuar në ulje të shpresës dhe zhgënjim të thellë , ngase vetëm gjatë muajit dhjetor të vitit 2021, në ambasadën gjermane kanë aplikuar mbi 56 mijë qytetarë të vendit.
Është pasojë e kësaj Qeverie mungesa e një fushate të fuqishme sensibilizuese për marrjen e vaksinës kundër Covid-19, për grupmoshat mbi 16 vjeç, për marrjen e dozës përforcuese – të dozës së 3-të si dhe për marrjen e vaksinës kundër gripit sezonal.
Vetëm në muajin janar të këtij viti, pikërisht para pak ditësh kemi parë thirrje për vaksinim kundër gripit sezonal. Është qasje dhe thirrje e vonuar, e cila ka pasoja, pasi që tashmë është evidente, ngaqë sipas profesionistëve shëndetësor, virusi Omikron nuk dallon shumë nga simptomat e gripit sezonal.
Pra, është pasojë e kësaj Qeverie mos ndërmarrja e masave adekuate në kohë, ndaj dhe e rëndon gjendjen në vazhdimësi.
Duhet të ju rikujtoj se ne si parti opozitare kemi qenë dhe jemi të hapur që me kapacitetet tona profesionale të japim kontributin tonë përballë këtij armiku të padukshëm. Kemi dëshmi të mjaftueshme që edhe më parë kemi ofruar mbështetje për këtë çështje; vetë kryetari Abdixhiku, në gushtin e vitit të kaluar kishte paraqitur strategjinë për menaxhimin e pandemisë në atë kohë, mirëpo kishte rënë në vesh të shurdhër të kësaj Qeverie.
Pastaj, kohë pas kohe kemi njoftuar dhe i kemi tërhequr vërejtjen për atë çka po ndodhte në botë dhe se shumë shpejt mund të mbërrij edhe në Kosovë, ndërsa kjo Qeveri si përgjigje kishte zgjedhur injorimin total.

“Ta luftojmë me hapje të kontrolluar, sa herë kjo qeveri është vënë para krizave dhe para panikës së masave, efektiviteti i tyre ka qenë izolimi, nëse shkojmë direkt në izolime të proklamuara ashtu siç ka thënë qeveria , më mirë ta shpall falimentimin e saj të japë dorëheqje dhe të vijnë njerëz që janë kompetent”.

Deri në vetëdijesimin dhe aftësimin e mundshëm të kësaj Qeverie, qytetarëve të vendit ju lutemi që të bëjnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë të gjitha rekomandimet e IKShKP-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarët e lartë të fakultetit Juridik të Universitetit “Haxhi Zeka”…