Klarinetistja kosovare shfaq koncert në Bullgari

10 shtator 20:10

Klarinetistja, Ilire Avdiu, ditët e fundit ka përfaqësuar shtetin tonë në Bullgari, duke mbajtur koncerte në “Jazz Bar”, në Sofia, si dhe “International Jazz Festival”, në Pleven.

Ajo ka interpretuar albumin e saj “A night in Prishtina”, të lansuar dy vjet më parë, si dhe disa pjesë të reja muzikore me anë të të cilave ka paralajmëruar albumin e saj të dytë, i cili do të publikohet këtë vit.

Ajo ishte e ftuar, po ashtu, në intervistën e “Jazz FM Radio”, të Bullgarisë, si dhe në Radion  Nacionale të Plevenit.

“Jam befasuar me mikëpritjen e njerëzve të cilët kanë reaguar në mënyrë aq pozitive ndaj muzikës që kemi luajtur, sa që edhe në Kosovë ende po më përcjellë ajo energji pozitive, plot vullnet. E kam ndier veten vërtetë të respektuar. Falënderoj shumë organizatorët dhe të gjithë publikun për këtë eksperiencë shumë të bukur”, është shprehur Ilire Avdiu për RTK.

Këto shfaqje, që pa dyshim shënojnë ngjarje, janë inicuar nga organizata joqeveritare “Balkan Ways To Friendship”.

Instrumentistët, që kanë bashkëpunuar, me një profesionalizëm dhe me një angazhim jashtëzakonisht të përgjegjshëm, i kanë dhënë muzikës nivelin e duhur që ajo kërkonte.

Instrumentistët, të cilët ishin vendës, si : Stanislav Arabadzhiev, pianist,

Mihail Ivanov në bas kitarë dhe Stefan Goranov në bateri, ia kanë shtuar vlerën e shfaqjes koncertale të klarinetistes sonë, Ilire Avdiut.

Si mysafir special i këtij kuarteti në “Sofia Jazz Bar” ka qenë kavallisti Zhivko Vasilev.

Si në Sofia ashtu edhe në Pleven, Ilire Avdiu ka pasur një sukses të padiskutueshëm.

Ajo do të ketë edhe tjera shfaqje të tilla, në të cilat do ta përfaqësojë, në fushën e artit muzikor vendin tonë denjësisht.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Guus Hiddink u emërua të hënën trajner i kombëtares U21…