
Klasifikimi i AfD-së si parti ekstremiste, SHBA përplaset ashpër me Gjermaninë
Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio e kritikoi si “tirani të maskuar” në Gjermani vendimin që mori Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës duke e klasifikuar AfD-në si parti të konfirmuar “ekstremiste të krahut të djathtë”.
“Gjermania sapo i dha agjencisë së saj të shërbimit të inteligjencës kompetenca të reja për të mbikëqyrur opozitën”, shkroi Rubio të premten në rrjetin social X. “Kjo nuk është demokraci – kjo është tirani e maskuar,” vazhdoi ai. “Nuk është AfD ajo që është vërtet ekstremiste, por politika e imigracionit që partia e refuzon. Gjermania duhet të ndryshojë kursin e saj”, ka kërkuar Sekretari Amerikan i Shtetit.
Ministria e Jashtme në Berlin i është përgjigjur më pas postimit të Rubios, duke deklaruar se “kjo është demokracia”.
Në reagimin e Ministrisë së Jashtme në Berlin thuhet, se “ky vendim është rezultat i një hetimi të plotë dhe të pavarur për të mbrojtur Kushtetutën tonë dhe sundimin e ligjit”. Fjala e fundit do t’u lihet “gjykatave të pavarura”, shpjegoi Ministria e Jashtme. “Ne kemi mësuar nga historia jonë se ekstremizmi i krahut të djathtë duhet të ndalet.”
Qeveria amerikane nën Presidentin Donald Trump është e afërt me AfD. Bashkëkryetarja e AfD, Alice Weidel, mori mbështetje gjatë fushatës elektorale në Gjermani për zgjedhjet e 23 shkurtit nga këshilltari i Trump, Elon Musk dhe nënpresidenti amerikan JD Vance.
Pas reagimit nga Rubio të premten, reagime ka pasur edhe nga zëvendëspresidenti amerikan, J.D Vance dhe miliarderi, Elon Musk për klasifikimin e AfD si ekstremiste të djathtë. Vance shkroi në X se AfD është “partia më popullore” në Gjermani. Tani “burokratët po përpiqen ta shkatërrojnë”.
Miliarderi amerikan i teknologjisë, Elon Musk, i cili gjithashtu punon për qeverinë e presidentit populist të krahut të djathtë të SHBA, Donald Trump e komentoi po ashtu vendimin. Në X ai shkroi se “ndalimi i AfD, partia më popullore në Gjermani, do të ishte një sulm ekstrem ndaj demokracisë”.
Musk e promovoi vazhdimisht AfD-në përpara zgjedhjeve federale. Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës e ka klasifikuar AfD-në si “të sigurt ekstremiste të krahut të djathtë” që nga e premtja. Arsyeja është “karakteri ekstremist i të gjithë partisë, i cili shpërfill dinjitetin njerëzor”, tha Zyra Federale në Këln. Më parë, AfD në tërësi ishte klasifikuar vetëm si rast i dyshuar.
AfD doli parti e dytë në zgjedhjet federale të shkurtit me 20.8% të votave dhe fitoi 152 vende në Bundestag. Udhëheqësit e partisë, Alice Weidel dhe Tino Chrupalla, e quajtën vendimin “politikisht të motivuar” dhe “një goditje të rëndë për demokracinë gjermane”.
Klasifikimi i ri u jep autoriteteve më shumë fuqi për të vëzhguar partinë, përfshirë përgjime telefonike dhe agjentë të fshehtë. Kjo ka nxitur debate të reja për ndalimin e AfD-së, sidomos përpara votimit në Bundestag për konfirmimin e liderit konservator Friedrich Merz si kancelar, i cili pritet të udhëheqë një koalicion me Socialdemokratët.
Lideri i SPD-së, Lars Klingbeil, paralajmëroi se ndalimi i AfD-së është një mundësi reale: “Ata duan një vend tjetër, duan të shkatërrojnë demokracinë tonë. Dhe këtë duhet ta marrim shumë seriozisht”.