Klinika Emergjente e mbingarkuar, mbi 300 raste në ditë kërkojnë ndihmë mjekësore

01 gusht 2021 | 14:04

Drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani, ka thënë se brenda 24 orëve në këtë klinikë kërkojnë ndihmë mjekësore mbi 320 perona.

Ai ka treguar se vetëm në muajin korrik në Klinikën Emergjente kanë kërkuar ndihmë mbi 7 mijë e 531 raste.  “Klinika Emergjente shënon numrin rekord të rasteve të cilët kanë kërkuar shërbime emergjente mjekësore vetëm për periudhën janar-korrik të vitit 2021. Në Klinikën Emergjente kanë kërkuar ndihmë mjekësore emergjente mbi 50 mijë raste, në krahasim me vitet e kaluara për 30 për qind kemi numrin e shtuar të rasteve të cilët kërkojnë shërbime emergjente mjekësore. Sa i përket muajit korrik në Klinikën Emergjente deri më datën e sotme kanë kërkuar 7 mijë e 531 raste, prej tyre kemi të identifikuar 274 të lënduar në aksidentet ne komunikacion. Në Klinikën Emergjente dominojnë sëmundjet e sistemit kardiovaskular, sëmundjet neurologjike, pulmologjike, sëmundjet metabolike, po ashtu edhe gjendjet aksidentale, pa e anashkaluar edhe dhomën e reanimacionit ku pranojmë të sëmurët edhe të lënduarit të cilët janë me rrezik jete. Brenda 24 orëve në Klinikën Emergjente kërkojnë mbi 320 raste, që është numër enorm”, ka thënë ai.

Lenjani ka bërë të ditur për “KosovaPress” se ditëve të fundit ka pasur shtim të rasteve që kanë kërkuar shërbime emergjente për shkak të temperaturave të larta. Ai thotë se shumica prej tyre janë persona që kanë edhe sëmundje të tjera kronike. “Edhe ndikimi i faktorëve të ambientit sidomos temperaturat e larta e shtojnë numrin e kërkesave për shërbime emergjente mjekësore, sidomos të sëmurët të cilët kanë sëmundje kronike, nga sëmundjet e zemrës, sëmundjet pulmologjike, sëmundjet neurologjike, sëmundjet metabolike. Po ashtu, edhe numri i shtuar mund të jetë edhe si pasojë e faktorëve aksidental, sidomos goditje nga dielli, goditje nga të nxehtit”, ka thënë Lenjani.

Derisa ditëve të fundit në vend janë rritur rastet e reja me Covid-19, Lenjani ka treguar se rastet post-Covidjanë ato që po kërkojnë më shumë trajtim në Klinikën Emergjente.

“Një gjendje e cila e ngarkon shërbimin emergjent nga fillimi i pandemisë përveç rasteve me Covid, gjendje të cilën e ngarkojnë shërbimin emergjent janë gjendjet status post Covid, do të thotë gjendje pasi e kanë kaluar. Rastet e tilla nuk janë të rralla, brenda 24 orëve mund të kemi deri në 10 raste të cilët kanë problem kardiak, problem me mushkri apo probleme metabolike. Në bashkëpunim me klinikat tjera zakonisht këto raste të cilët kërkojnë pas gjendjes së Covid-it janë probleme të cilat tregojnë seriozitet dhe në konsultim me degët përkatëse varësisht nga gjendja pranohen në klinikat gjegjëse”, është shprehur ai.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori i Klinikës Emergjente, Basri Lenjani, ka thënë se brenda…