Klubet e Superligës vazhdojnë përforcimet

12 gusht 2020 | 10:59

Disa prej klubeve elitare në futboll si Llapi, Prishtina dhe Arbëria janë përforcuar me futbollistë të rëndësishëm për edicionin e ri. Risi ishte transferimi i sulmuesit malazez Sava Gardasheviq në skuadrën e drejtuar nga Tahir Batatina.

Klubet e IPKO Superligës së Kosovës në futboll po vazhdojnë të përforcohen në këtë afat kalimtar. Klubi i Llapit që drejtohet nga trajneri Tahir Batatina e ka prezantuar sulmuesin nga Podgorica, Sava Gardasheviq, i cili ka nënshkruar për një vit, me mundësi rinovimi. 27-vjeçari ka një karrierë të madhe pas vetes, duke numëruar kështu mbi 109 ndeshje për skuadrat nga Mali i Zi. Karrierën e futbollistit Gardasheviq e ka filluar në skuadrën Buduçnost Podgorica, ndërsa është paraqitur edhe për skuadrat e tjera nga Mali i Zi si: FK Mornar Bar, FK Deqiq Tuzi e, së fundmi, te Kom Podgorica, ku në 52 paraqitje arriti të realizojë 16 gola. Po ashtu, vlen të ceket se sulmuesi i ri i Llapit ka qenë edhe reprezentues i Malit të Zi për grupmoshën U19. “Sava Gardasheviq menjëherë pas nënshkrimit të kontratës me Llapin është vënë nën urdhrat e trajnerit Tahir Batatina, i cili shpreson se ai do të jetë formula e shënimit të golave për edicionin e ri të Superligës”, thuhet në njoftimin e skuadrës së Llapit.

Edhe skuadra e Prishtinës ka qenë aktive të martën pasi ka arritur marrëveshje trevjeçare me futbollistin e ri të talentuar, Albin Prapashtica, i cili është nga akademia e 2 Korrikut.

Ish-anëtari i përfaqësueses së Kosovës U17 ka shënuar gol kundër Holandës në kualifikime, si dhe ndaj përfaqësuesve të Irlandës U17. Ndërsa me përfaqësuesen e Kosovës U19 ka shënuar edhe ndaj Anglisë në turne në Itali, si dhe dy gola Maltës. Ka luajtur edhe në kualifikimet e U19 me Kosovën. Së fundi ishte në prova edhe te skuadra e madhe kroate, Dinamo Zagreb. “Kënaqësi, privilegj dhe nder t’i mbroj ngjyrat e skuadrës më të madhe në vend. Jam mirënjohës për udhëheqjen e klubit që më kërkuan, më besuan dhe më bindën të jem pjesë e projektit të klubit. Jam shumë i bindur se kam zgjedhur adresën e duhur të parë të madhe të zhvillimit tim profesional në karrierën time prej futbollisti. Kam shumë për të mësuar e për t’i dhënë klubit tim të ri, në veçanti ‘Plisave’”, ka thënë Prapashtica për faqen zyrtare të Prishtinës.

Edhe klubi i inkuadruar për herë të parë në Superligë, Arbëria, është përforcuar me futbollistin me përvojë të madhe, Labinot Ibrahimi. Ky i fundit ishte pjesë e Prishtinës, por pas përfundimit të kontratës nuk gjeti gjuhë të përbashkët me klubin kryeqytetas dhe vendosi që karrierën ta vazhdojë në skuadrën nga Lipjani. “Ibrahimi, një lojtar profesional, me përvojë të jashtëzakonshme, përfaqësonte skuadra të shumta si: Ulpiana, Arbëria, Partizani dhe, së fundi, fituesin e Kupës së Kosovës, FC Prishtina. Ibrahimi do ta bartë ndërresën kuq e zi te KF Arbëria dhe do ta ndihmojë skuadrën në repartin defanziv”, thuhet në njoftimin e skuadrës së Arbërisë. “Presidenti i klubit së bashku me kryesinë e KF Arbëria i dëshirojnë shëndet dhe suksese duke u shprehur optimist se së bashku do t’i dhurojnë më të mirën klubit”, thuhet në njoftimin e këtij klubi.

Labinot Qosa emërohet trajner i portierëve në KF Ballkani

Skuadra e Ballkanit e ka përforcuar shtabin teknik me ish-portierin e njohur Labinot Qosën, i cili do të jetë trajner i portierëve në ekipin e parë. “Trajneri i mirënjohur ka arritur marrëveshje me klubin që ta ushtrojë detyrën e trajnerit të portierëve për ekipin e parë dhe të këshillojë/asistojë shkollën e futbollit për ngritjen e kapaciteteve për sa iu përket portierëve. Labi është i ri në moshë, por i pasur në bagazh si portier dhe trajner. Ai ka punuar si trajner në KF Hajvali, KF Llap dhe KF Flamurtar. Gjithashtu, është trajner i përfaqësueses së Kosovës U/19 femrat. Labi si portier profesionist – aktiv ka mbrojtur në klube si KF Llapi, KF Besiana, KF KEK, KF Kosova e Prishtinës, Renova – Tetovë dhe përfaqësuesen e Kosovës A gjatë vitit 2005”, thuhet në njoftimin e Ballkanit.

 

(V.Z / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dje rreth orës 18:30 ka vdekur një grua në fshatin…