Klubet nuk e harrojnë zanatin e ndërrimit të trajnerëve

29 tetor 2019 | 11:39

Klubet e futbollit në Kosovës duket se nuk e kanë ndërmend të heqin dorë nga ndryshimi i shpeshtë i trajnerëve dhe të punojnë me plane afatgjata. Në dymbëdhjetë xhirot e para janë ndryshuar gjashtë trajnerë, kurse në javët vijuese pritet që ky trend të vazhdojë edhe nga klubet e tjera. I fundit që ka ndryshuar klub është Xhengis Rexhepi, i cili është zëvendësuar nga klubi i Dukagjinit me Severin Elezajn.

Trajneri Xhengis Rexhepi pas javës së 12 në IPKO Superligën e Kosovës në futboll vendosi të japë dorëheqje për shkak të rezultateve të dobëta me skuadrën e Dukagjinit nga Klina. Trajneri Rexhepi në njoftimin e dorëheqjes bëri me dije se rezultatet e dobëta e shtynë që të dorëhiqet, kurse ka shtuar se janë munduar që me dinjitet t’i mbrojnë ngjyrat e klubit.

“Pas rezultateve negative në drejtimin e KF Dukagjini ndiej përgjegjësi morale të jap dorëheqje. Me dinjitet dhe karakter jemi munduar t’i mbrojmë ngjyrat e klubit. Në pjesën dërrmuese të ndeshjeve kemi qenë ekip më i mirë, por në futboll nuk mjafton të luash mirë, duhet të fitosh. Kriza dhe rezultatet negative kanë qenë vetëm në tabelë”, ka thënë Rexhepi, i cili vetëm një ditë më pas është zëvendësuar nga trajneri Severin Elezaj.

Kjo dorëheqje dhe as rikthimi i Elezajt nga ish-klubi nuk është diçka e re në futbollin e Kosovës, pasi tashme ndryshimi i trajnerëve është bërë modë në futbollin e Kosovës, duke u nisur nga Superliga e deri te rangjet më të ulëta. Kjo bëhet pasi pak klube nuk punojnë me plane afatgjata dhe menjëherë kur mungojnë rezultatet nuk i kursejnë trajnerët, duke i shkarkuar e në opinion duke i prezantuar si dorëheqje apo ndërprerje të bashkëpunimit me marrëveshje të dyanshme. Ndryshimin e shpeshtë të trajnerëve nuk arriti ta ndryshojë as pjesëmarrja e klubeve në garat e Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës, derisa në këtë edicion janë ndryshuar gjashtë trajnerë dhe pritet të ketë ndryshime të paktën edhe në dy klube të tjera. Prishtina dhe Vushtrria janë kampione për faktin se kanë ndryshuar nga dy trajnerë, kurse Dukagjini dhe Flamurtari kanë bërë vetëm nga një ndryshim. Prishtina me marrëveshje të dyanshme ndërpreu bashkëpunimin me trajnerin nga Shqipëria, Mirel Josa dhe në vend të tij e emëroi Bylbyl Sokolin.

“Profa” nuk qëndroi gjatë dhe dha dorëheqje me arsyen se ka probleme shëndetësore dhe i duhet të operohet. Vendin e trajnerit drejtuesit e klubit kryeqytetas vendosën t’ia besojnë një trajneri të ri, Armend Dallkut, që në fund të edicionit të kaluar u pensionua nga futbolli aktiv.

Ish-mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë e ka nisur mirë aventurën me skuadrën “bardhekaltër” dhe është në hap me skuadrat e para në renditjen tabelore. Skuadra tjetër nga kryeqyteti në fillim të edicionit aktual postin e trajnerit ia besoi Artim Shaqirit, i cili, pas ndeshjes me Drenicën javën e kaluar, dha dorëheqje dhe vendin e tij në skuadrën e Flamurtarit e zuri Sunaj Keçi.

Ndryshime interesante në këtë edicion të Superligës bëri skuadra e Vushtrrisë, e cila u rikthye në rangun elitar me shumë bujë. Fillimisht kjo skuadër postin e trajnerit ia besoi Bekim Shotanit, por pas disa xhirove atë e zëvendësoi me trajnerin italian Antonio Toma. Strategut italian nuk i ndezi puna për ta këndellur skuadrën e Vushtrrisë dhe vendin e tij e trashëgoi Fitim Llapashtica, i cili pati një debutim të suksesshëm. Dy trajnerët që rrezikojnë shumë të shkarkohen në javët në vazhdim janë Dejan Vukiqeviq i Feronikelit dhe Bekim Isufi i Dritës.

/Veton ZYMBERI/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
James McAvoy dhe Lisa Liberati thuhet se janë martuar. Aktori…