Klubi anglez i vihet pas yllit të Barcelonës
Barcelona ka promovuar disa lojtarë nga La Masia vitet e fundit, dhe një prej tyre mund të largohet në vitin 2026 – pavarësisht se trajneri Hansi Flick llogarit shumë mbi të.
La Masia vazhdon të prodhojë talentë për Barcelonën, me lojtarë si Pau Cubarsí, Lamine Yamal dhe Fermin Lopez që kanë bërë hapin drejt ekipit të parë gjatë 2-3 viteve të fundit.
Në vitin 2025, atyre iu bashkua edhe Pedro “Dro” Fernandez, i cili ka qenë vazhdimisht pjesë e listës së Flick për ndeshjet që nga fillimi i sezonit.
Dro ka luajtur dy herë gjatë kësaj periudhe, të dyja herët si titullar (kundër Real Sociedad dhe Olympiacos).
Ai vlerësohet shumë brenda klubit, por ngritja e tij ka tërhequr gjithashtu interesin e disa klubeve të tjera, veçanërisht nga Premierliga.
Manchester City dhe Chelsea janë përmendur si të interesuara për Dro muajt e fundit, dhe tani gazetari Alan Nixon (përmes “CaughtOffside”) ka zbuluar se West Ham United ka filluar të mbledhë informacion rreth mesfushorit ofensiv 17-vjeçar, të cilin dëshiron ta transferojë kur të hapet merkatoja e janarit.
Duke pasur parasysh se Dro tashmë është pjesë e ekipit të parë në moshën 17-vjeçare, do të ishte shumë e habitshme nëse Barcelona do të konsideronte ta shiste.
Po ashtu, nuk ka asnjë arsye financiare për ta shitur, pasi ai ka kontratë deri në verën e vitit 2027 – dhe pritet t’i ofrohet një kontratë e re sapo të mbushë 18 vjeç në janar, që do t’i mundësonte një zgjatje afatgjatë.
Interesi i West Hamit për Dro mund të jetë i fortë, por është e pamundur që Barcelona të japë ndonjë sinjal pozitiv për largimin e tij – dhe vetë lojtari nuk duket i interesuar të largohet, duke qenë se gëzon besimin e plotë të Flick. Si pasojë, ky transferim nuk pritet të konkretizohet.




