
Klubi i Prodhuesve kërkon që industria e prodhimit të shpallet sektor i rëndësisë kombëtare
Drejtori ekzekutiv i Klubit të Prodhuesve, Astrit Panxha së bashku me disa nga anëtarët e bordit ka takuar kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, me të cilin ka diskutuar rreth aktiviteteve të Klubit, kryesisht rreth fokusit kryesor të rritjes së eksportit dhe trajnimeve profesionale të punëtorëve në sektorin e prodhimit.
Po ashtu gjatë takimit kryeparlamentarit Konjufca iu dorëzua edhe Rezoluta e Prodhimit, ku me anë të saj Klubi i Prodhuesve kërkon që industria e prodhimit të shpallet sektor i rëndësisë kombëtare.
Në njoftimin për media të Klubit të Prodhuesve, theksohet se qëllimi i kësaj rezolute është përkrahja e ndërmarrjeve prodhuese, në rritjen e kapaciteteve të tyre, që do të ndikonte drejtpërdrejtë në rritjen e eksporteve dhe zvogëlimin e bilancit tregtar.
Kryeparlamnetari Konjufca ka shprehur gatishmërinë që t’u dalë në përkrahje prodhuesve, duke theksuar se zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik varet posaçërisht nga zhvillimi i sektorit të prodhimit.