Klubi Letrar “Shkreptima e maleve” shpall konkurs letrar për poezi
Klubi Letrar “Shkreptima e Maleve” në Deçan, në frymën e nxitjes dhe promovimit të krijimtarisë poetike shqiptare, ka shpallur Konkurs Letrar për Poezi dhe, me këtë rast, i ka ftuar krijuesit nga të gjitha trojet shqiptare që të bëhen pjesë e kësaj ngjarjeje letrare.
Kushtet e pjesëmarrjes
Çdo autor mund të konkurrojë vetëm me një poezi;
Poezia duhet të jetë e pabotuar më parë;
Gjatësia e poezisë nuk duhet të kalojë 30 vargje;
Tema e poezisë është e lirë;
Poezia duhet të dërgohet në format Word;
Dorëzimi bëhet vetëm me shifër (kod) për të garantuar vlerësim të paanshëm nga juria profesionale;
Poezitë duhet të dërgohen në adresën elektronike të klubit: [email protected]
Çmimet
Juria profesionale do të japë çmimin letrar “Naim Fetaj” për tri poezitë më të mira të konkursit:
Çmimi i parë: 500.00 €
Çmimi i dytë: 300.00 €
Çmimi i tretë: 200.00 €
Afati i konkursit
Konkursi është i hapur nga 10 marsi 2026 deri më 15 prill 2026 në orën 24:00.
Shpallja e fituesve
Fituesit do të shpallen gjatë Orës së Madhe Letrare, e cila do të mbahet më 9 maj 2026, me fillim nga ora 12:00, në Llukë të Poshtme-Deçan, në Kullën e Shekullit XXI, pronë e Rrustem Gecaj.
Kjo veprimtari synon t’i bashkojë zërat poetikë nga të gjitha trevat shqiptare dhe të krijojë një hapësirë ku fjala artistike të shpërthejë si një shkreptimë drite.
Botimi i përmbledhjes poetike
Poezitë të cilat do të përzgjedhen nga juria për lexim, do të botohen në një përmbledhje poetike para edicionit të dytë të këtij manifestimi letrar.



