
KMDLNj bën thirrje që të shmangen kalimet nëpër territor të Serbisë
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut ka theksuar përmes një reagimi për medie se kohëve të fundit Serbia ka shpeshtuar arrestimin e qytetarëve të Kosovës me arsyetim se kanë qenë pjesë e UÇK-së.
Gjithashtu sipas KMDLNj-së, edhe në Maqedoni të Veriut po arrestohen shqiptarët që janë vënë në listën e Interpolit, me kërkesë të Serbisë.
“Pastaj po hiqen të zitë e ullirit për të pamundësuar ekstradimin e tyre në Serbi. Arbnor Spahiu, ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës ishte arrestuar tre ditë më parë në Serbi në ndërkohë që gjykata përkatëse ia caktoi masën e paraburgimit, 30 ditë. Nga burime të paverifikuara thuhet se është marrë në pyetje për rastin në Banjë të Zveçanit kur pati një sulm paramilitar ndaj Policisë së Kosovës. Thuaja në 95 për qind të rasteve të arrestimit, të arrestuarit ishin pjesëtarë të UÇK-së. KMDLNj në shumë reagime pati kërkuar që ta shmangin kalimin nëpër territor të Serbisë për të shkuar në vendet e tjera. Autoritetet serbe kanë bërë arrestime të përzgjedhura duke e përshtatur me dinamikën e arrestimeve të serbëve në Kosovë. Këto arrestime tashmë po shndërrohen në një ping – pong politik ku më së paku bëhen përpjekje për të siguruar drejtësi për viktima dhe përgjegjësi për ata që janë pjesë e zinxhirit të përgjegjësisë për krime”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.
Sipas këtij institucioni, përkundër sigurimit të bazës ligjore për gjykime në mungesë, nga aspekti i të drejtave të njeriut janë të diskutueshme, shpesh duke rënë ndesh me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
“Për shkak të mungesës së bashkëpunimit midis Kosovës dhe Serbisë në fushën e drejtësisë, nuk ka shumë mundësi të sigurohemi se ndaj të arrestuarve në Serbi, qytetarë të Kosovës, respektohen të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria, sipas standardeve ndërkombëtare. Ndërkaq, qytetarët serbë të arrestuar në Kosovë e që kanë thuaja 100 për qind shtetësi të dyfishtë apo edhe për shtetasit e Serbisë të arrestuar në Kosovë, përjashtuar rastet skajshmërisht të rralla, vizitat monitoruese lejohen dhe faktet tregojnë se ata trajtohen plotësisht në përputhje me dokumentet kombëtare dhe ndërkombëtare për të drejtat e njeriut të personave të privuar nga liria”, theksohet në këtë reagim.
KMDLNj ka thënë se është në interes, në radhë të parë të familjeve të të arrestuarve, pavarësisht shtetas të cilit shtet janë, pastaj edhe publikut që të sigurohen informata nga burime të paanshme dhe të pavarura për trajtimin e personave të dyshuar e që mbahen të arrestuar në Kosovë, Serbi apo një shteti tjetër të rajonit.
“Prandaj KMDLNj pati propozuar që të bëhet një marrëveshje mbështetur në vullnet të mirë e që iu lejohet monitorimi i papenguar personave të privuar nga liria në Kosovë dhe Serbi. Monitorimi do të bëhej ekskluzivisht nga aspekti i të drejtave të njeriut dhe raporti i monitorimit do të dërgohej te Shërbimet Korrektuese të shteteve përkatëse që kanë përgjegjësi për trajtimin e personave të privuar nga liria sikur edhe te Ministritë e Drejtësisë. Për tejkalim të autorizimeve zyrtare dhe profesionale policore gjatë arrestimit dhe mbajtjes policore prej 48 orëve, përgjegjësia do të adresohet te drejtori i Policisë dhe Ministrisë për Punë të Brendshme. KMDLNj pret që Arbnor Spahiu do të trajtohet në përputhje me të drejtat që i takojnë, se do të ketë vizita të lejuara, mbrojtje dhe mbrojtës për të cilin vet ai përcaktohet dhe se rasti i tij nuk do të politizohet. Vetëm pasi të arrestuarit në Serbi, shtetas të Kosovës janë liruar, KMDLNj ka siguruar prova se ndaj tyre trajtimi policor dhe gjatë mbajtjes ka qenë korrekt”, është thënë ndër të tjera në reagimin e KMDLNj-së.