KMDLNj: Ekuilibrimi i pamoralshëm i Gjykatës Speciale raciste dhe Ekaterina Trandafilovës

15 dhjetor 2023 | 13:51

Reagim i KMDLNj-së

Ekaterina Trandafilova ishte në një vizitë provokuese në Prishtinë me ç’rast u takua me një pjesë klienteliste të shoqërisë civile për t’i informuar për punën që e bënë kjo Gjykatë.
Gjatë këtij rrugëtimi dezinformues u përballë me protesta të shoqëruara me tym dhe “zjarr” me ç’rast Policia e Kosovës përdori forcë të tepruar në mbrojtje të një manipuluese kundër drejtësisë dhe dashakeqe e të drejtave të njeriut dhe Kosovës, Katerina (Mediçi) Trandafilova. Pas takimeve me të huajt e fuqishëm në Kosovë, u takua, fshehurazi me të ligjtë e Kosovës për ta vazhduar bashkëpunimin shumë të suksesshëm me ta edhe në të ardhmen dhe për të marrë bekimin e tyre për dënime drakonike sikur edhe për të siguruar “dëshmitarë të mbrojtur”. Jo shumë kohë pas kësaj vizite të kurdisur, Gjykata e Apelit e GJRS shqyrtoi kundërshtimin e avokatit të Salih Mustafës për dënimin kapital prej 26 vjetëve që paraqet nonsens, krahasuar me dënimet që pati shqiptuar, për raste të njëjta Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte për ish-Jugosllavi në Hagë dhe gjykatat e ngjashme në botë!
Në ndërkohë “njohësit“ e çështjeve juridike deklaronin se dënimi do të ulet shumë shkaku se duhet të zbatohet ligji më i favorshëm për të dënuarin që ishte zbatuar ndaj një serbi të Hoçës së Rahovecit të cilit Gjykata ia uli dënimin e shkallës paraprake duke u thirrur pikërisht në këtë ligj. KMDLNj, pasi e ka shqyrtuar rastin nuk ka qenë optimist se do të ketë ulje të ndjeshme të dënimit e as kthim të procesit në rishqyrtim. Ridënimi ndaj Salih Mustafës mbeti kapital ndërsa “zbutja” e dënimit ishte falso e sidomos arsyetimi për këtë zbutje. KMDLNj konsideron se Gjykata nuk ka arritur ta arsyetojë pretendimin për vrasje të një civili nga Salih Mustafa, përkatësisht përgjegjësinë e tij direkte.
Ndërkaq, sa i përket aplikimit të ligjit më të favorshëm për të dënuarin, KMDLNj e përkujton opinionin se kjo mundësi nuk parashihet në Ligjin për Gjykatën Speciale prandaj edhe nuk zbatohet ndërsa, në rastin konkret GJRS e zbaton të Drejtën Zakonore Ndërkombëtare që ia mundëson shqiptimin e këtij dënimi. GJRS i ka hedhur në “kosh të plehrave” të gjitha kundërshtimet e avokatit të Salih Mustafës ndërsa “zbutjen” e dënimit e arsyeton me praktikat e ngjashme në Kosovë dhe në vendet tjera e jo se ka gjetur shkelje në vendimin paraprak. Kjo gjykatë vendimin e fillon dhe e mbaron duke u thirrur në “emër të popullit të Kosovës” që, përveç se është imoralitet i skajshëm, paraqet dhunim flagrant të vullnetit të popullit të Kosovës.
Për të balancuar krimin juridik kjo gjykatë, po të njëjtën kohë liroi me kusht Nasim Haradinajn, të cilin, bashkë me Hysni Gucatin e pati dënuar me një dënim drakonik për një vepër penale për të cilën realisht është dashur të dënohen pjesëtarë të GJRS që lejuan rrjedhjen e dosjeve të ndjeshme pas së cilave, me pretekst të mbrojtjes së dëshmitarëve, i arrestuan dhe i dënuan. Ndonëse, të dy ishin dënuar me dënim të njëjtë, Hysni Gucati u lirua më herët ndërsa Nasim Haradinaj u lirua tash për ta mbuluar skandalin e ridënimit të Salih Mustafës. Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj u liruan me kushte poshtëruese (mbyllje goje deri në fund të vitit 2024) gjë që nuk është praktikë e gjykatave tjera, ndërkombëtare e as vendore kur të dënuarit i liron me kusht. Me vet faktin se Katerina (Mediçi) Trandafilova është ajo që e ka “liruar” Nasim Haradinajn, pa asnjë dyshim tregon se prapa kësaj qëndron një marrëveshje e pistë dhe jo një vendim normal gjyqësor.
Kjo vetëm sa e përforcon bindjen dhe qëndrimin e KMDLNj-ës se kjo gjykatë vepron dhe gjykon në bazë të përkatësisë etnike dhe racore e jo në bazë të provave prandaj e ka kundërshtuar dhe e kundërshton fuqishëm. Koha do të dëshmojë se qëllimi i kësaj gjykate është politik dhe as që i intereson drejtësia për viktimat dhe përgjegjësia për ata që kanë bërë krime. Nuk ka qenë e as që është qëllim ballafaqimi me të kaluarën (nuk mund të bëhet ky proces në mënyrë të fragmentarizuar) por eliminimi i një garniture politike, stigmatizimi i UÇK-së, rishkrimi i historisë dhe ridisejnimi i proceseve politike, gjë që edhe po ndodhë në praktikë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përfaqësuesit e kompanive të sektorit privat patën mundësi të mësojnë…