KMDLNJ: Gjykata Speciale raciste, shkel dinjitetin e shqiptarëve dhe të drejtën për vizita
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë ka reaguar ashpër ndaj Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë si “rimishërim të inkuizicionit” dhe duke kritikuar institucionet e Kosovës për mosveprim ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut.
Në një deklaratë të publikuar sot, KMDLNJ thekson se Gjykata Speciale në trajtimin e të paraburgosurve shqiptarë dhe shtetasve të Kosovës, shkel në mënyrë brutale të drejtat e njeriut dhe standardet ndërkombëtare.
“Kush ka menduar se ka ikur koha e inkuizicionit, del se ka gabuar shumë. GJRS – Gjykata Raciste Speciale është rimishërim i inkuizicionit në zemër të Evropës, ku brutalisht shkelet dinjiteti i njeriut të privuar nga liria”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë i KMDLNj-së:
GJYKATA RACISTE SPECIALE!
Kush ka menduar se ka ikur koha e inkuizicionit, del se ka gabuar shumë. GJRS – Gjykata Raciste Speciale është rimishërim i inkuizicionit në zemër të Ev ( u )ropës ku brutalisht shkelet dinjiteti i njeriut të privuar nga liria, ku pafund shkelen të drejtat e njeriut dhe humanizmi është kthyer në gjykim të shpellave, në kanibalizëm juridik. Me paradoksin se në vendin e iluminizmit kemi terr informativ, mungesë të drejtave themelore të njeriut nga burokratët juridikë ndërkombëtarë . Të zhveshur nga çdo e drejtë, pengjet e inkuizicionit në Burgun e Hagës, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës po kalojnë kalvarin shpirtëror nga kriminelët juridikë të Hagës dhe rrogëtarët e tyre politikë në Prishtinë të shpërfytyruar si Kurti, Haxhiu, Sfeqla, Basha, Murati, Shvarc, Osmani dhe Mihali.
Institucionet e Kosovës brutalisht ndërhyjnë në të gjitha nivelet e gjyqësorit ndërsa sa i përket GJRS – Gjykatës Speciale Raciste e kanë luajtur lojën e strucit, kanë folur me gjuhën e peshkut! Askush nuk ka kërkuar që ato të ndërhyjnë në drejtësi por se ka qenë detyrim ligjor të sigurojnë transparencë dhe llogaridhënie, të kërkojnë një proces të drejtë, të paanshëm dhe të pandikuar nga politika, parapolitika dhe grupet e intetesit. Kanë pasur detyrim ligjor të kërkojnë monitorim të pavarur e jo që nuk e kanë bërë por e kanë penguar. Kanë pasur detyrim ligjor të sigurojnë mbrojtje cilësore juridike ndërkaq këta e kanë pakësuar këtë mbrojtje përmes pakësimit të fondeve dhe kufizimeve tjera. Sjellja jonjerëzore e GJRS – Gjykatës Raciste Speciale ndaj Salih Mustafës – Calit ishte provuar edhe në rastet e Hysni Gucatit, Nasim Haradinajt, Pjetër Shalës, Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit dhe Kadri Veselit . Heshtja e institucioneve e ka përligjur diskriminimin e Gjykatës Raciste Speciale ndaj pengjeve të Hagës, të gjithë shqiptarë dhe të gjithë shtetas të Kosovës, udhëheqës të luftës, ndërtues të shtetit dhe të paqes si dhe bartës më të larta të posteve shtetërore në Kosovë.
Moslejimi i vizitës së Salih Mustafës – Calit është pafytyra e fytyrës së shëmtuar të kësaj gjykate në aspektin e detyrimit të respektimit të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria e që garantohen nga Rregullat Evropiane të Burgjeve, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut e Kombeve të Bashkuara dhe, mendermethënë Rregullat e Nelson Mendelës si standardi më i lartë i këtyre të drejtave. Ndonëse deklarohet si Gjykatë e Kosovës, Gjykata Raciste Speciale Kushtetutën e Kosovës e injoron deri në poshtërim. Avokatin e Popullit të Kosovës nuk e trajton si institucion shtetëror por si familjarë i personave të privuar nga liria.
Babai i Salih Mustafës ndërroi jetë pa e takuar të birin që u dënua ne sajesa të Serbisë dhe dëshmitar të Ministrisë së Drejtësisë.



