KMDLNj kërkon nga deputetët që ta votojnë Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike

15 nëntor 2020 | 13:37

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka ripërsëritur kërkesën drejtuar deputetëve të Kuvendit të Kosovës që ta votojnë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike në mënyrë që të zbusin gjendjen tejet të rëndë të bizneseve në Kosovë.

Sipas KMDLNj-së nëse ky projektligj nuk votohet pashmangshëm do të falimentojë shumica e bizneseve, raporton “Epoka e re”.

“Dhjetëra mijëra vende të punës do të mbyllen e për pasojë do të varfërojë shumicën e qytetarëve të Kosovës. Deputetët e Kuvendit të Kosovë, me mosvotimin e këtij projektligji do të bartin përgjegjësi për qytetarët e Kosovës që po vuajnë nga varfëria dhe pasiguria shkaku i humbjeve të vendeve të punës”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.

Sipas KMDLNj-së, deputetët e Kuvendit të Kosovës mund edhe të mos pajtohen me buxhetin e propozuar por duhet ta kenë të qartë se buxheti i Kosovës, në rrethana aktuale nuk është buxhet zhvillimor por i mbijetesës.

KMDLNj ka bërë thirrje që të ndryshohet edhe ligji për Trustin.

“KMDLNj, edhe në bazë të kërkesave të shumë qytetarëve, edhe më herët por edhe tani kërkon që paratë e kursyera duhet të shfrytëzohen sipas vullnetit dhe nevojave që i kanë qytetarët e jo që Trusti të vendosë se sa para mund të tërheqin. Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me propozim të qeverisë duhet me urgjencë të ndryshojë Ligjin për Trustin dhe të krijojë kushte dhe mundësi që qytetarët të disponojnë me kursimet e tyre jetësore e jo që për këtë të vendosë Trusti. Këtu nuk mund të diskutohet as shuma 10% e as 30% por se qytetari merr vendim për shumën që i duhet sikur në të gjitha vendet tjera. Duhet të bëhet e qartë se këto para nuk janë të Trustit por të qytetarëve. Ndryshimi i Ligjit për Trustin duhet të bëhet shpejt. Në rrethana të një emergjence ekonomike të shkaktuar nga pandemia, parat e Trustit do të ndihmonin shumë qytetarët të përballojnë këtë gjendje”, është theksuar në reagimin e KMDLNj-së.

KMDLNj ka njoftuar se përkrahë nismën e kryeministrit Hoti për konsultime me subjektet politike për të gjetur mënyrë për zgjedhje të presidentit të Kosovës dhe nëse nuk merren vesh atëherë të caktohet data për zgjedhje të reja.

“Në rrethanat aktuale KMDLNj vlerëson se nuk ka kushte për zgjedhje të reja andaj dyshon edhe në arsyeshmërinë e mbajtjes së zgjedhjeve për kryetar komune në Besianë- Podujevë dhe në Mitrovicë. KMDLNj kërkon unitet të subjekteve politike dhe jopolitike kosovare për tejkalimin e situatës që është shumë e rëndë dhe vetëm pastaj të bisedohet për zgjedhje eventuale. KMDLNj, mbështetur në situatën shumë të rëndë të shkaktuar nga COvid-19 vlerëson se pas konsultimit të subjekteve politike mund të caktohet një kandidat konsensual për president të Kosovës, pa pasur nevojë të shkaktohet krizë institucionale. Në këto rrethana nuk ka kushte as për rrëzim të Qeverisë e as për zgjedhje të parakohshme. Në rastin më të mirë, nëse ka marrëveshje të subjekteve politike për zgjedhje të parakohshme, ato nuk mund të mbahen para muajit qershor 2021”, është bërë me dije në reagimin e KMDLNJ-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më 12 nëntor u mbajt në Tiranë “Miss Globe 2020”.…