KMDLNj kërkon nga prokuroria t’i hetojë pretendimet për hyrje në dhomën e përgjimeve

28 maj 2020 | 14:19

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj)  ka ftuar Prokurorin e Shtetit të hetojë pretendimet e presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryeshefit të Telekomit, Bedri Istrefi se kryeministri në detyrë Albin Kurti, zëvendësi i tij, Haki Abazi dhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, kanë hyrë në dhomën e përgjimeve në Tekelomin e Kosovës.

KMDLNj-ja ka vlerësuar se ky rast duhet të trajtohet nga Prokuroria e Shtetit me një prioritet të lartë dhe pas përfundimit të hetimeve duhet të adresohet përgjegjësia konkrete qoftë për shqetësim të opinionit përmes shpifjeve, qoftë për ndërhyrje ilegale dhe të paautorizuar në dhomën e përgjimeve.

“Në rastin konkret nuk mund të jenë dy të vërteta dhe nëse Prokuroria e Shtetit e kalon në heshtje këtë çështje do të bartë përgjegjësi për legalizim të shpifjes ose për rrezikim të privatësisë për qytetarët e Kosovës të drejtat e të cilëve po shkelen rëndë në rastin konkret”.

“Fjala apo dyshimi publik ka përgjegjësi publike, morale, politike dhe penale prandaj vetëm një hetim i shpejtë, i paanshëm dhe profesional mund dhe duhet ta adresojë përgjegjësinë konkrete, të mbështetur në prova e jo në spekulime”, është thënë në njoftimin e KMDLNj-së.

Ky këshill ka theksuar se është i shqetësuar për “fjalorin fyes, kërcënues dhe të turpshëm që po e përdorin politikanët e Kosovës për ta diskredituar njëri-tjetrin, në mungesë të fakteve apo ideve që kontribuojnë për të mirën e qytetarit”. (L.G/ Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja…