KMDLNj: Paralizimi i trafikut urban dhe ndërurban ka shkaktuar probleme të mëdha
Edhe të mërkurën punëtorët e “Trafikut Urban” dhe përfaqësuesit e operatorëve privatë, kanë protestuar për shkak se nuk kanë marrë pagat e tyre, ndërkaq qytetarët kanë mbetur pa transport publik.
Në lidhje me ketë gjendje ka reaguar Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj).
“Është dita e tretë kur qytetarët e Prishtinës kanë mbetur pa shërbime të transportit publik dhe operatorëve privat shkaku i grevës së paralajmëruar më parë. Ministria për Financa ka bllokuar, sipas kryetarit të Prishtinës mbi 35 milionë euro, mjete të kryeqytetit duke pamundësuar komunën të shlyej detyrimet ndaj transportuesit publik dhe operatorëve privat. Albin Kurti dhe Hekuran Murati kanë refuzuar të takojnë përfaqësues të grevistëve që të gjejnë një zgjidhje që do të ishte e pranueshme për të gjithë në mënyrë që trafiku të kthehet në rrjedha normale përkundër kaosit të tre ditëve të fundit”, ka theksuar KMDLNj. Sipas KMDLNj-së, paralizimi i trafikut urban dhe ndërurban ka shkaktuar probleme të mëdha për të moshuarit që nuk kanë pasur mundësi të shkojnë as për trajtim mjekësor, për nxënësit dhe studentët që kanë humbur shumë orë mësimi apo të ligjëratave, për të punësuarit në sektorin publikë dhe atij privat shkaku se nuk kanë mundur ta respektojnë orarin e punë duke u vonuar shumë në punë apo duke munguar fare nga puna. “Loja e ping-pongut midis Ministrisë së Financave dhe komunës së Prishtinës e ka shkaktuar këtë kaos që i ka lënë qytetarët pa shërbime transporti plotë tre ditë pa siguri se do të ndërpritet greva, së shpejti”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
Në të njëjtën kohë 700 të punësuar në transmetuesin publik (RTK), afërsisht tre muaj kanë mbetur pa paga duke vështirësuar punën e këtij operatori sikur duke e rrezikuar mbijetesën e 700 familjeve.
“Qeveria Kurti e ka kapur brutalisht këtë transmetues publik përmes punësimeve partiake dhe imponimit të udhëheqjes përmes klientelizmit partiak dhe tani po e shantazhon përmes mohimit të pagave. KMDLNj përkrahë plotësisht protestën e transportuesit publik dhe atyre privat si dhe grevën e 700 të punësuarve në RTK, shkaku se ndaj tyre kemi të bëjmë me shkelje të drejtave të njeriut përmes mohimit të kompensimit për punën që e bëjnë. Protesta dhe greva janë masa të skajshme për të mbrojtur të drejtat e tyre e që po iu shkelen nga institucionet si qeveria kujdestare dhe ministri i Financave, gjithashtu kujdestar. Në kohën kur Ministria e Financave nuk i lëshon mjetet vetjake të komunës së Prishtinës dhe nuk bënë përpjekje të sigurojë pagat për 700 të punësuar në RTK, po kjo ministri, bashkë me KM kujdestar Albin Kurti gjejnë mjete (në kundërshtim me Ligjin për Financa Publike) të rrisin pensionin minimal nga 120 në 150 euro dhe shtesat për fëmijë në masën 50 për qind. Në rastin e parë pensionistët kontributdhënës degradohen duke u trajtuar në mënyrë çnjerëzore dhe raciste pasi përjashtohen nga çdo rritje. Me rritjen e pensionit minimal dhe shtesave për fëmijë, Kurti dhe Murati duke keqpërdorur autorizimet ligjore kanë për qëllim blerjen e votave”, thuhet në këtë reagim.
KMDLNj ka theksuar se me situatën e krijuar në trafik qytetarët privohen nga e drejta për liri të lëvizjes, e drejta për shkollim, e drejta për punë, e drejta për mbrojtje shëndetësore dhe e drejta për qasje në shërbime publike. “Ndërkaq për shkak të gjendjes në RTK, qytetarët janë të privuar nga e drejta për t’u informuar në mënyrë të drejtë dhe cilësore. KMDLNj fton Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë e Shtetit të hetojë rastin në trafik dhe RTK-në pasi qytetarët po përballen me shkelje brutale të drejtave të njeriut që garantohen me ligjet në fuqi në Kosovë dhe dokumentet tjera kombëtare dhe ndërkombëtare për këto të drejta”, është thënë në reagimin e KMDLNj-së.



