KMDLNj: Pse aq shumë vetëvrasje në Kosovë?

19 gusht 2025 | 14:41

Brenda 48 orëve humbën jetën gjashtë persona në rrethana të dyshimta përkatësisht dyshimet ishin se e kishin vrarë veten, me armë zjarri apo duke u vetvarur.

Përfundimisht shkaqet e vdekjes të cilësuara si të dyshimta e marrin vulën zyrtare vetëm pas rezultateve të autopsisë nga ekspertët e mjekësisë ligjore.

Për Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), rritja e këtyre rasteve paraqet shqetësim serioz aq më parë që të gjithë po merremi me pasojat, askush me masa parandaluese.

“Askush deri më sot në Kosovë nuk ka bërë një hulumtim serioz dhe profesional për shkaqet që ndikojnë në rritjen e këtij fenomeni pas së cilave do të ndërtohej në strategji parandaluese. Kosova, si vend që ka dalë nga lufta është dashur seriozisht të merrej me këtë çështje në mënyrë që të shkurtohet afati postraumatik, dukuri kjo thuaja normale pas përfundimit të luftës në vendet ku ka pasur luftë. Çuditërisht, më shumë ka raste të vetëvrasjeve 26 vjet pas përfundimit të luftës se në periudhën pasi lufta ka marrë fund. Sipas KMDLNj-së, situata e rënduar ekonomike, rritja e papunësisë, mungesa e trajtimit të rasteve të identifikuara me prirje për vetëvrasje, mungesa e solidaritetit të shoqërisë, mungesa apo pamjaftueshmëria e institucioneve të shtetit për të ndihmuar këto raste, humbja e shpresës, kostot e papërballueshme për bizneset dhe presioni i vazhdueshëm për rrezikshmëri nga lufta janë shkaktarët kryesorë për rritjen e numrit të vetëvrasjeve. Kjo dukuri është në rritje te grupet e margjinalizuara që janë lënë anash nga shteti si pensionistët dhe veteranët e luftës kurse një numër më i vogël shkon te biznesmenët që nuk kanë përkrahje apo mbrojtje të ligjit”, ka njoftuar KMDLNj.

KMDLNj shpreh shqetësim të thellë që kjo dukuri nuk po trajtohet seriozisht nga institucionet që kanë mandat ligjor mbrojtjen e të drejtave të njeriut aq më parë që po rrezikohet seriozisht e drejta kryesore e njeriut mbi të cilën ndërtohen të gjitha të drejtat tjera, e drejta për jetë, e garantuar me të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare për të drejtat e njeriut. “Me pamundësinë, objektive apo subjektive të shtetit për të siguruar mbrojtje dhe trajtim shëndetësor të qytetarëve, shteti, pa një bazë ligjore po e zbaton eutanazinë apo vdekjen e asistuar”, ka njoftuar KMDLNj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka reaguar pas publikimit…