
KMDLNj: Qeveria dhe Kuvendi s’duhet ta mbështesin kërkesën e ZRrE-së
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka kërkuar nga Qeveria dhe deputetët e Kosovës që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme sa i përket shtrenjtimit të rrymës.
Përmes një komunikate për medie, KMDLNj ka vlerësuar se propozimi i ZRRE-së për shtrenjtim të çmimit të rrymës dhe rivendosje të tarifave ndëshkuese për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kWh është përtej pritjeve më optimiste të KEDS-it, dhe se Qeveria e Kosovës dhe deputetët nuk duhet ta mbështetshin këtë diskriminim.
“Sipas KMDLNJ-së aktualisht duhet të bëhen dy gjëra për ta mënjanuar përshkallëzimin; e para duhet të arrihet pajtueshmëri midis palëve për një çmim të përballueshëm dhe jodiskriminues dhe, e dyta, duhet të informohet opinioni për çmimet reale për faktin se qytetarët po bombardohen me çmime që janë tmerruese! Po bëhet një luftë e ndyrë për qëllime politike me çmimet e reja të rrymës duke e vënë qytetarin në situatë të sikletshme”, është thënë në komunikatë.
Sipas KMDLNJ-së, ZRRE-ja do të duhej të ishte e pavarur në marrje të vendimeve.
“Për aq sa dihet deri më tani, propozimi i ZRRE-së për shtrenjtim të çmimit të rrymës dhe rivendosje të tarifave ndëshkuese për konsumatorët që shpenzojnë mbi 600 kËh është përtej pritjeve më optimiste të KEDS, një operatori privat që përveç pasurimit jonormal gjatë privatizimit dhe inkasimit thuaja 100% , gjithashtu ka përfituar edhe nga Buxheti i Kosovës. ZRRE do të duhej të ishte e pavarur në marrje të vendimeve mirëpo, kurrë dhe asnjëherë nuk ka qenë e pavarur dhe nuk është as sot por ka shërbyer si profaturë e vendimeve të qeverive të mëparshme sikur që i shërben edhe qeverisë aktuale. Me vet faktin se ZRRE ka luajtur lojë të ndyrë duke ndarë dhe ndëshkuar konsumatorë në baza etnike tregon përkushtimin t’i shërbejë politikës e cila edhe ka qenë sikur që është edhe sot tutor i të gjitha shkeljeve ligjore që i bënë kjo agjensi e “pavarur” që mbrojë interesat e KEDS-it, të gjitha qeverive ndërkaq në mënyrë flagrante shkelë interesin e qytetarëve të Kosovës sikur që padënueshëm promovon dhe shkel të drejtat e njeriut duke ndarë konsumatorë në baza etnike, serbët janë të privilegjuar duke mos e paguar as edhe një cent të vetëm për rrymën e shpenzuar kurse konsumatorët tjerë, të të gjitha përkatësive etnike, pagues të rregullt dënohen dhe kërcënohen me ngritje të reja të çmimeve e që janë të papërballueshme”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së.