KMDLNj thërret protesta kundër shtrenjtimit të ujit dhe energjisë elektrike
Viti 2026 ka nisur me lajme jo të mira për qytetarët e Kosovës. Përkundër gjendjes së rënduar ekonomike, faturat e ujit nga janari do të shënojnë rritje deri në 40 për qind, ndërsa paralajmërohet edhe shtrenjtimi i energjisë elektrike.
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ashpër ndaj këtyre vendimeve, duke theksuar se qytetarët tashmë po përballen me fatura të papërballueshme.
Sipas KMDLNj-së, ZRrE-ja ka paralajmëruar shqyrtimin e çmimit të energjisë në një kohë kur “këto fatura janë bërë të papërballueshme për shumicën e familjeve kosovare dhe po ngulfatin bizneset, një numër jo i vogël i të cilave është buzë falimentimit”.
Në reagimin e saj, KMDLNj akuzon institucionet për mungesë vullneti për mbrojtjen e qytetarëve. “Shkaku i moskujdesit dhe mungesës së vullnetit të qeverisë për të mbrojtur qytetarët, ZRrE në vazhdimësi po penalizon konsumatorët në baza etnike dhe politike, duke mbrojtur oligarkët e përfshirë në Mafien Energjetike”, thuhet në njoftim.
Kjo organizatë paralajmëron se shtrenjtimi i ujit dhe energjisë elektrike do të ketë pasoja zinxhirore në ekonomi. “KMDLNj tërheq vërejtjen se shtrenjtimi i ujit dhe rrymës do të prodhojë efekte zinxhirore dhe për pasojë do të paguajmë fatura shumë më të larta për artikuj tjerë të domosdoshëm për mbijetesë si dhe për shërbime”, thuhet në njoftim.
Sipas KMDLNj-së, ndonëse faturat e ujit dhe mbeturinave mund të jenë ende të përballueshme, situata me energjinë elektrike është alarmante. “Faturat e rrymës janë të papërballueshme për shumicën e ekonomive familjare dhe bizneset”, theksohet më tej.
KMDLNj ka bërë thirrje për reagim qytetar, duke ftuar protesta masive. “KMDLNj thërret qytetarët e Kosovës të kundërshtojnë këto shtrenjtime duke protestuar masivisht dhe duke bllokuar zyrat e ZRrE-së, KESCO-s dhe operatorëve privatë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, organizata u ka bërë thirrje partive politike që të mbrojnë interesin publik. “KMDLNj fton pozitë dhe opozitë të mbrojnë interesin e qytetarëve e jo të Mafies Energjetike”, thuhet në reagim, duke kërkuar gjithashtu transparencë për inkasimin e energjisë në veri të Kosovës dhe diferencën e çmimit të rrymës.
Në fund, KMDLNj paralajmëron se mosreagimi do ta përkeqësojë edhe më tej gjendjen sociale. “Nëse qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre politikë nuk dalin në mbrojtje të interesave të tyre, spiralja e shtrenjtimit vetëm sa do të zgjerohet, ndërsa kjo gjendje në mënyrë flagrante shkel të drejtat e njeriut duke e rrënuar cilësinë e jetës dhe duke çuar në falimentim bizneset”.



