
Koalicioni AAK-LVV në Fushë Kosovë, Haradinaj i prerë: S’kemi ndërruar qëndrimin për Kurtin
Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova ka deklaruar se është gabim çdo koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, në cilindo nivel.
Por, ai ka theksuar se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë vendim që degët të vendosin vetë se me kë duan të hynë në koalicione.
“Komuna me komunë po ka dallim, elektorati prej elektorati ka dallim. Ta marrim shembull, nuk mund ta krahasojmë LDK-në e Gjakovës me LDK-në e Pejës, ose të Klinës me të Rahovecit. Dhe kjo neve në nivel nacional nuk na lejon të kemi një komandë tipik ushtarake, që me thënë jo me këtë subjekt politik. Me qenë shumë i sinqertë, e në publik nuk ka dal por subjektet tjera opozitare, të gjitha me të gjithë, po bëjnë koalicione në nivel komunal”, tha Haradinaj.
Ai më tej, tha se qëndrimi i AAK-së mbetet i njëjtë, se Albin Kurti është i dëmshëm për vendin.
“Qëndrimi jonë i prerë është, që vazhdimi i mandatit të Kurtit është humbje e madhe për Kosovën. Nuk e kemi ndërruar ne këtë qëndrim. Unë personalisht kam nevojë për LVV-në në Junik, se i ka 380 vota. Hipotetikisht nesër nëse Agron Kuqi bënë koalicion me LVV-në në Junik, 90% e atyre zyrtarëve të LVV-së në Junik janë ish-AAK”, tha Haradinaj. /Klankosova.tv