Koalicioni është stabil, nuk do të ketë zgjedhje këtë vit

07 korrik 13:05

Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë se koalicioni qeverisës është stabil dhe nuk ka asnjë temë të hapur në mes të liderëve të tij.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se kurdo që t’i sigurojë votat opozita mund ta rrëzojë qeverinë.

“Përderisa ne nuk kemi as një temë të hapur brenda partnerëve të koalicionit unë e konsideroj këtë koalicion stabil. Jemi këtu dhe në çdo situatë që opozita i bënë numrat le të veprojë”, është shprehur Haradinaj, duke shtuar se bojkoti nuk është gjë tjetër veçse një formë kundërshtimi nga opozita. “E rëndësishme është që një pjesë e madhe e ligjeve kanë gjetur mbështetjen e shumicës së deputetëve. Bojkoti opozitar nuk është gjë tjetër veçse një formë kundërshtimi nga opozita pasi temat nacionale pothuajse jonë duke u trajtuar në formën më të mirë të mundshme”, ka theksuar ai.

Haradinaj ka thënë se ky koalicion duhet t’i përfundojë çështjet e hapura me Serbinë dhe, sipas tij, këtë vit nuk do të ketë zgjedhje. Por kurdo që mbahen ato, Haradinaj ka thënë se AAK-ja gëzon mbështetje popullore dhe do të dalë fituese.

“Ne jemi tepër të interesuar që ky koalicion t’i përmbyllë disa tema që janë tash e sa kohë të hapura me Serbinë. Zgjedhje nuk do të ketë këtë vit, pasi pothuajse të gjithë e dinë se AAK-ja është në situatën më të mirë të mundshme. Mobilizimi i strukturave dhe vendimet e mëdha të Qeverisë kanë bërë që të kemi mbështetje të madhe popullore. Zgjedhjet do t’i fitojë AAK-ja. Kjo tashmë është e sigurt. Edhe sondazhet e fundit po na qesin afër të parit”, ka theksuar Haradinaj.

Ai nuk ka dashur ta komentojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila e ka shpallur jokushtetues Ligjin për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, por ka thënë se është i nevojshëm uniteti i brendshëm karshi Serbisë. “Nuk është në mandatin tim ta komentoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ajo që është me rëndësi për neve është uniteti i brendshëm karshi Serbisë”, ka deklaruar Haradinaj.

Duke folur për inskenimin e krizës humanitare në veri, ai ka thënë se kjo është një përpjekje e kotë e Serbisë. Haradinaj ka vlerësuar se Kosova është shtet stabil dhe ka kapacitete të plota për ta siguruar stabilitetin e territorit të vet. “Janë tendenca të kota të politikës serbe. Kosova është shtet stabil dhe ka kapacitete të plota për ta siguruar stabilitetin e territorit të vet. Politika fashiste e Beogradit po dekonspirohet për ditë. Beogradi po i keqpërdor serbët e Kosovës”, është shprehur Haradinaj.

“Epoka e re”: Z. Haradinaj, po bëhen dy vjet prej kur deputetët kanë dhënë betimin për këtë legjislaturë. Sa jeni kënaqur me punën e këtij Kuvendi kur kemi parasysh se shumë seanca në mungesë të kuorumit nuk janë mbajtur. Rasti i fundit ishte edhe me bojkotimin e mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit nga anëtarët e opozitës?
Daut Haradinaj: E rëndësishme është që një pjesë e madhe e ligjeve kanë gjetur mbështetjen e shumicës së deputetëve. Bojkoti opozitar nuk është gjë tjetër veçse një formë kundërshtimi nga opozita, pasi temat kombëtare pothuajse janë duke u trajtuar në formën më të mirë të mundshme.

“Epoka e re”: Cili është bashkëpunimi aktual mes partnerëve të koalicionit qeverisës?
Daut Haradinaj: Përderisa ne nuk kemi as një temë të hapur brenda partnerëve të koalicionit unë e konsideroj këtë koalicion stabil.

“Epoka e re”: Opozita të martën ka paralajmëruar se së shpejti do ta ngrehë mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë Haradinaj. Mendoni se opozita mund t’i sigurojë edhe tri vota për t’u arritur synimi i saj, rrëzimi i qeverisë?
Daut Haradinaj: Kurdo që opozita t’i bëjë numrat le të veprojë.

“Epoka e re”: A është AAK-ja e gatshme për zgjedhje të parakohshme, sepse ka pasur deklarime nga bashkëpartiakë tuaj se AAK-ja qëndron mirë me sondazhe. Në çfarë pozicioni politik e shihini këtë parti në rast se zgjedhjet mbahen këtë vjeshtë?
Daut Haradinaj: Ne jemi tepër të interesuar që ky koalicion t’i përmbyllë disa tema që janë tash e sa kohë të hapura me Serbinë. Zgjedhje nuk do të ketë këtë vit, pasi pothuajse të gjithë e dinë se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është në situatën më të mirë të mundshme. Mobilizimi i strukturave dhe vendimet e mëdha të qeverisë kanë bërë që të kemi mbështetje të madhe popullore. Zgjedhjet do t’i fitojë AAK-ja dhe kjo tashmë është e sigurt. Edhe sondazhet e fundit po na qesin afër të parit.

“Epoka e re”: Javën e kaluar Gjykata Kushtetuese ka shpallur jokushtetues Ligjin për Detyrat, Përgjegjësitë dhe Kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë. Si e shihni vazhdimin e procesit të dialogut pas këtij vendimi dhe a ka qenë gabim refuzimi i kryeministrit Haradinaj që mos të merret ai personalisht me dialogun?
Daut Haradinaj: Nuk është në mandatin tim ta komentoj vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por ajo që është me rëndësi për ne është uniteti i brendshëm karshi Serbisë.

“Epoka e re”: Së fundmi në veri Serbia po tenton të inskenojë një krizë humanitare atje. Ka rrezik të keqësimit të situatës në këtë pjesë?
Daut Haradinaj: Janë tendenca të kota të politikës serbe. Kosova është shtet stabil dhe ka kapacitete të plota për ta siguruar stabilitetin e territorit të vet. Politika fashiste e Beogradit po dekonspirohet për ditë. Beogradi po i keqpërdor serbët e Kosovës.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Para një viti bota e futbollit dhe jo vetëm, mori…