
Koci kritikon deputetët: Po marrin rroga pa punuar fare
Avokati Arianit Koci ka kritikuar deputetët që po marrin pagat pa punuar fare.
Ai ka vlerësuar se ky veprim është një turp për deputetët e të gjitha partive politike.
Koci ka shkruar në “Facebook”, ka ftuar ata që një pjesë të pagës ta dhurojnë për njerëzit në nevojë.
“Nuk është në rregull! Qe sa muaj pa punuar, deputetët po marrin rroga. Turp! Turp! Turp! Po e hanë djersën e popullit më të varfër në Evropë. Popullit që mezi mbijeton, i merret taksa për t’ua mbushur xhepat atyre që nuk po punojnë asgjë. I ftoj deputetët, që të paktën një pjesë të rrogës, ta dhurojnë për njerëzit në nevojë. Është minimumi moral që mund ta bëjnë. Deputetë, mos e hani djersën e popullit më të varfër në Evropë!”, ka shkruar Koci, i cili disa herë ka protestuar para Kuvendit kundër krizës politike.
Ai ka ftuar qytetarët që të vetëdijesohen.
“E ju qytetarë, mos heshtni! Kërkoni llogari. Se nëse heshtim sot, nesër do të jetë edhe më keq. P.S. Sado që dikujt i duket që nuk po ka efekt protesta e ime – ka! Shumë bile. Besoni! E përsëritja e vazhdueshme e kërkesa të mija, konsistenca, është mënyra e vetme e veprimit, me politikanë të pandërgjegjshëm, që e këqyrin veç interesin e vet!”, ka shkruar Koci.