
Koci për krizën në Kuvend: Nesër në ora 11:00 ua mbylli derën deputetëve, s’ka me dalë pa zgjidhje
Avokati Arianit Koci ka reaguar ndaj krizës së thelluar politike në vend, duke paralajmëruar një veprim simbolik para Kuvendit të Kosovës të enjten në mëngjes.
Në një postim në Facebook, Koci shpreh zhgënjimin me bllokadën institucionale që po vazhdon tash e sa kohë, duke theksuar se kriza ka kaluar çdo kufi të durimit qytetar.
“Nuk ka dalje prej Kuvendit, pa zgjidhje politike”, ka shkruar ai, duke shtuar se nesër, në ora 11:00, deputetët do të futen për herë të 27-të në Kuvend, pa ndonjë përparim konkret.
Sipas Kocit, një tjetër seancë pa marrëveshje nuk është më krizë politike, por “lojë me durimin e njerëzve”. Ai thotë se në ora 10:45 do të dalë para Kuvendit dhe do t’ua mbyllë derën deputetëve me një fjongë, si një akt simbolik, për të kërkuar që të arrihet një zgjidhje politike dhe institucionale.
“Nuk i lejojmë me dalë – si veprim simbolik, derisa ta zgjidhin krizën politike”, thotë Koci.
Megjithatë, ai e kushtëzon këtë veprim me përkrahje qytetare.
“Nëse ky postim merr së paku 3000 pëlqime ose zemra – dal. Pa asnjë hezitim. Pa përkrahje të vërtetë – nuk ka as veprim”, ka shkruar avokati.
Në fund, Koci ka bërë thirrje për mobilizim qytetar dhe ka kërkuar nga mediat që të përkrahin këtë nismë. “Ky veprim simbolik – është sigurt më shumë se heshtja. Sa prej jush kishit me dalë nesër? Bëjeni share ju lutëm. Boll është boll!”