
Kodheli: Atë që Shqipëria e bën për anëtarësim të Kosovës në NATO nuk bëhet nga asnjë vend tjetër
Një delegacion i Komisionit për Politikën e Jashtme të Kuvendit të Shqipërisë është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Kosovë.
Të njëjtit janë pritur në takim nga Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporës të Kuvendit të Kosovës. Rreth dy orë ata kanë diskutuar për ndikimin e luftës në Ukrainë dhe zhvillimet në rajon. Pas takimit, përmes një konferencë të përbashkët për medie është zotuar mbështetja e Shqipërisë karshi Kosovës për anëtarësim në NATO dhe rrugën eurointegruese.
Nikoqiri i takimit, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporës, Haki Abazi, ka thënë se Kosova dhe Shqipëria duhet të unifikojmë më shumë politikën e jashtme. Ai ka thënë se dy vendet duhet të shikojnë të gjitha mundësitë e bashkëpunimit, përfshirë atë të sigurisë.
Ndërsa homologia e Abazit, kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme të Shqipërisë, Mimi Kodheli, ka thënë se mbështetja ndaj Kosovës nuk është vetëm një slogan, por një punë konkrete që bëhet në vazhdimësi.
“Ne jemi me Kosovën për Kosovën dhe ky është një slogan i cili vjen normalisht sepse jemi në vizitë në Kosovë. Por është edhe diçka që po punohet vazhdimisht dhe do të vazhdohet në këtë drejtim. Kosova meriton jo vetëm t’i hiqen vizat për të përshpejtohen proceset e veta integruese euro-atlantike. Andaj Shqipëria me gjitha forcat dhe mënyrat do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën”, ka thënë ajo, raporton “Ksp”.
E pyetur nga gazetarët për dallimet e dy qeverive në politikën e jashtme, ajo ka thënë se ka pasur momente të mëhershme kur dallimet kanë qenë akoma më të mëdha se tash.
Por, Kodheli ka thënë se përkrahja ndaj Kosovës bëhet rregullisht, mirëpo duhet të jenë më informues që mesazhi të vjen edhe në Kosovë.
“Ka pasur momente kur mund të ketë pasur diskrepanca akoma më të madhe sesa ky moment që po jetojmë sot. Ky moment që po jetojmë sot është pozitiv, unë do të shikoja me optimizëm, pasi Shqipëria është anëtare e NATO është e konsoliduar në arenën ndërkombëtare, po ashtu si Kosova ka një pozicion të konsoliduar për qëndrimet e saja dhe rrugët euro-atlantike. Nga ana tjetër, është në detyrimin tonë që të jemi më informuese sepse mbështetja që vjen nga Shqipëria për Kosovën bëhet. Mund të ndodh që mos të vije ky informacion çdo herë deri tek ju”, ka thënë ajo.
Më tutje, ajo nuk ka pranuar të fliste sa i përket samitit të fundit të NATO-s dhe qëndrimit të kryeministrit Edi Rama, por ka thënë se atë që e bën Shqipëria për anëtarësim të Kosovës në NATO nuk e bënë asnjë vend tjetër.
“Nuk do të hy në këtë diskutim. Besoj se atë që Shqipëria e bën për anëtarësimin e Kosovës në NATO nuk e bënë asnjë vend tjetër. Nuk është një surprizë e madhe as për ne dhe as për ju mos prezenca e Serbisë në ndarjen e të njëjtit opinion, vendosjen e sanksioneve që kanë vendosur ShBA-ja, BE-ja dhe jo vetëm”, ka thënë Kodheli.
Delegacioni nga Shqipëria ka zhvilluar një takim edhe me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, derisa të hënën ka vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz.