Koha e Vetëvendosjes erdhi

02 tetor 2019 | 10:57

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Sabri Kiçmari, është shprehur i bindur se më 6 tetor qytetarët e Kosovës do të votojnë për ndryshim.

Ai ka thënë se tanimë ndryshimi është bërë imperativ kategorik.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se ndryshimi realizohet vetëm me fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Ka një klimë entuziazmi që i përshkon tubimet e LV-së. E ndiej se ky entuziazëm është i natyrshëm dhe jo instrumental. Zhvillimet shoqërore i kanë disa ligjshmëri politike, që determinojnë ngjarje, kohë ose epoka të caktuara. Qytetarët e Republikës janë përgatitur për ta bërë ndryshimin. Ndryshimi është bërë imperativ kategorik. Dhe ndryshimi realizohet vetëm me Lëvizjen Vetëvendosje! Fitorja e LV-së është sinonim i këtij ndryshimi. Jam i bindur se ky ndryshim do të ndodhë më 6 tetor. Koha e Vetëvendosjes ka ardhur”, ka thënë Kiçmari.

Ai ka deklaruar se LV-ja angazhohet për shtetin e së drejtës, shtetin zhvillimor dhe shtetin social. “Janë tri dallime themelore në mes të LV-së dhe subjekteve të tjera: programi i qartë dhe konkret, kuadri i pakorruptueshëm dhe etika politike, që e përshkon LV-në si lëvizje progresive shoqërore. Brenda LV-së kam gjetur një frymë politike progresive dhe një punë profesionale në komitete, që është e rrallë te subjektet e tjera”, ka vlerësuar ai.

Kiçmari ka shprehur optimizëm se do të arrijë të marrë vota të mjaftueshme për t’u bërë deputet në Kuvendin e Kosovës. “Rrethet intelektuale shqiptare, në Kosovë dhe Shqipëri, e njohin edhe mendimin tim teorik nga fusha e filozofisë, sociologjisë dhe shkencës politike. Mendoj se të gjitha këto do të kenë një reflektim në aktin vendimmarrës të qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e kandidaturës sime”, ka thënë kandidati i LV-së për deputet.

“Epoka e re”: Z. Kiçmari, si po ju shkon fushata zgjedhore dhe si po ju presin qytetarët?
Kiçmari: Është një fushatë shumë e qetë dhe me mjaft përmbajtje politike. Jemi gjithandej Kosovës me tubime të nivelit lokal dhe komunal. Ka një entuziazëm te qytetarët i cili shprehet përmes pjesëmarrjes së madhe të qytetarëve në tubime dhe thirrjeve për ndryshim. Ne po ua shpjegojmë programin politik, prioritetet, masat dhe veprimet e planifikuara të Lëvizjes Vetëvendosje të cilat po priten shumë mirë nga qytetarët.

“Epoka e re”: Cilat janë gjasat për t’u bërë deputet?
Kiçmari: Qytetarët e Republikës së Kosovës më njohin mirë që nga mosha e rinisë. E kanë të njohur angazhimin tim në Lëvizjen Popullore të Kosovës në vitet 1980-1990 për krijimin e Republikës, e njohin mirë punën time si përfaqësues diplomatik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë kohës së luftës dhe rolin tim si Ambasador i Republikës së Kosovës në Austri dhe Australi, sidomos përmes përmbylljes së procesit të njohjes së Republikës së Kosovës në kontinentin e Australisë. Rrethet intelektuale shqiptare, në Kosovë dhe në Shqipëri, e njohin edhe mendimin tim teorik nga fusha e filozofisë, sociologjisë dhe shkencës politike. Mendoj se të gjitha këto do të kenë një reflektim në aktin vendimmarrës të qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e kandidaturës sime.

“Epoka e re”: Cila është oferta kryesore e Lëvizje Vetëvendosje për këto zgjedhje?
Kiçmari: LV-ja angazhohet për shtetin e së drejtës, shtetin zhvillimor dhe shtetin social. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për krijimin e Fondit Sovran të Republikës dhe Bankës Zhvillimore, një skemë të punësimit të garantuar për të rinjtë, kontrata të garantuara për punëtorët dhe një ligj të ri mbrojtjeje për të punësuarit, për mbështetjen e fermerëve, për rimëkëmbjen e arsimit, duke e lidhur atë me nevojat e tregut të punës, heqjen e pagesave për të gjitha nivelet arsimore, sigurimin shëndetësor, votimin e bashkatdhetarëve tanë në ambasada dhe konsullata, mbështetjen e shkollës shqipe në mërgim, heqjen e pagesave të sigurimit për vetura për bashkatdhetarët në kufi, funksionalizimin e FSK-së dhe shërbim të obliguar ushtarak për të rinjtë, banim të përballueshëm për 4 000 familje dhe një raport partneriteti me vendet e tjera duke investuar në profesionalizimin dhe ristrukturimin e shërbimit diplomatik.

“Epoka e re”: Çka e dallon LV-në në këto zgjedhje nga subjektet e tjera politike?
Kiçmari: Janë tri dallime themelore në mes të LV-së dhe subjekteve të tjera: programi i qartë dhe konkret, kuadri i pakorruptueshëm dhe etika politike që e përshkon LV-në si lëvizje progresive shoqërore. Brenda LV-së kam gjetur një frymë politike progresive dhe një punë profesionale në komitete, që është e rrallë te subjektet e tjera.

“Epoka e re”: Parashikimet janë që LDK-ja, PDK-ja dhe LV-ja do të jenë pretendente kryesore për të fituar më 6 tetor. Sa sfiduese do të jetë për lëvizjen për ta arritur këtë qëllim?
Kiçmari: Ka një klimë entuziazmi që i përshkon tubimet e LV-së. E ndiej se ky entuziazëm është i natyrshëm dhe jo instrumental. Zhvillimet shoqërore i kanë disa ligjshmëri politike, që determinojnë ngjarje, kohë ose epoka të caktuara. Qytetarët e Republikës janë përgatitur për ta bërë ndryshimin. Ndryshimi është bërë imperativ kategorik. Dhe, ndryshimi realizohet vetëm me Lëvizjen Vetëvendosje! Fitorja e LV-së është sinonim i këtij ndryshimi. Jam i bindur se ky ndryshim do të ndodhë më 6 tetor. Koha e Vetëvendosjes ka ardhur.

“Epoka e re”: Nëse do t’i fitoni zgjedhjet, me kë do të qeverisni dhe cilat do të jenë prioritetet kryesore të qeverisë së re?
Kiçmari: Projekti i një koalicioni të përbashkët parazgjedhor me LDK-në dështoi përkundër një shkalle të lartë gjeneroziteti të LV-së dhe kryetarit Albin Kurti. Pas zgjedhjeve do ta analizojmë me kujdes rezultatin zgjedhor, kryeministri në ardhje Albin Kurti do të marrë kontakt me partnerin eventual për koalicion dhe do ta ofrojë projektin tonë qeverisës. Reduktimi i numrit të ministrive, masa të shpejta antikorrupsion, procesi i Vetingut, racionalizimi i investimeve në rrugë dhe autostrada, investimi në industri dhe punësim, do të jenë prioritetet e qeverisë Kurti.

(Muhamet KOCI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet, Sabri Kiçmari, është shprehur…