Koha që Serbia t’i kthejë pensionet në Kosovë

02 dhjetor 2018 | 15:16

Sindikata e Pensionistëve të Kosovës beson se ka ardhur koha që pensionistët kosovarë t’i marrin pensionet nga Serbia.

Për këtë qëllim, kryetari i kësaj sindikate, Sylejman Meta, ka thënë se gjatë kësaj jave mund të dërgojnë listën me emrat e pensionistëve kosovarë, tek Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor i Republikës së Serbisë.

Kanë kaluar 19 vjet prej se pensionistët e paraluftës në Kosovë janë duke i pritur pensionet e tyre nga Serbia. Deri më tani ka pasur shumë premtime, kurse premtimi më i fundit vjen nga kryetari i Sindikatës së Pensionistëve të Kosovës, Sylejman Meta. Ai ka thënë se pas shumë insistimesh kanë arritur të marrin listën e pensionistëve kosovarë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, dhe tani atë do ta dërgojnë tek Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor i Republikës së Serbisë.

“Shënimet kur të shkojnë besoj që situata ka me qenë më ndryshe, meqenëse jemi vonuar shumë, i dërgohet Fondit Republikan të Serbisë, por edhe Këshillit të formuar nga Gjykata e Strasburgut”, ka thënë Meta.

Megjithatë, kreu i pensionistëve ka vlerësuar se do të ishte më mirë sikur lista të dërgohej në mënyrë institucionale, qoftë përmes qeverisë së Kosovës apo Avokatit të Popullit. Ndryshe, Meta ka thënë se është në kontakt edhe me Avokatin e Popullit të Serbisë.

“Tash Avokati i Popullit i Serbisë pajtohet plotësisht që duhet të jepen patjetër pensionet e atyre që i kanë fituar me punë sepse është një pronë private”, ka thënë ai.

Sipas tij, nuk ka kundërshtime as në Gjykatën Supreme të Serbisë e as nga Fondi i Serbisë për Pensione, me të cilët Meta po ashtu ka thënë se ka pasur kontakte.

Sepse siç ka thënë ai, Gjykata e Strasburgut ka marrë vendim për kthimin e të gjitha pensioneve, kurse për realizimin e këtij vendimi, “Strasburgu”, ka krijuar edhe një komitet mbikëqyrës në Beograd.

“Strasburgu e thotë në mënyrë të prerë, të gjithë kosovarët duhet të marrin pensionin që u takon, nuk flet për procedura dhe nuk ka nevojë për procedura tjera”, ka thënë Meta.

Pasi të dërgohet lista në Beograd, aplikimi duhet të bëhet në mënyrë individuale, ka sqaruar Meta.

“Por unë mendoj se duhet të ketë një mbikëqyrje, sikur që është Komiteti për mbikëqyrje në realizimin e vendimit të Strasburgut. Edhe institucionet tona të bëjnë përcjelljen se a po bëhet me rregull. Ndryshe, çdo pensionist duhet të aplikojë në mënyrë individuale, i kemi siguruar avokatët pa pagesë në Kosovë”, është shprehur Meta.

Sylejman Meta, ka kërkuar që pensioneve që ata i marrin në Kosovë t’iu ndryshohet emërtimi, sepse po keqpërdoret nga Serbia për refuzim.

Për këtë qëllim, ai planifikon takim me kryeparlamentarin Kadri Veseli, që të dalë në rend të ditës kjo çështje në Kuvend, në mënyrë që të quhen ndihma sociale e pensionistëve të paraluftës. (RTK)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet në Izrael kanë deklaruar se kanë mbledhur prova të…