KOHË KUR ZJARRI I LIRISË KËRKONTE TË PËRZGJEDHURIT

25 shtator 2025 | 13:35

(Në përvjetorin e njëzet e shtatë të heroit të kombit Ahmet Alush Pantina)

Shkruan: Imer Pantina

Sot, në këtë përvjetor kthehemi për pak çaste në kohën e lavdisë, në kohën kur zjarri i lirisë kërkonte të përzgjedhurit, kërkonte bijtë më të mirë që të rreshtoheshin rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të hapnin rrugën drejt lirisë, drejt jetës, e dikush të mbetej i përjetshëm në kujtesën e kombit.

Tani e njëzet e shtatë vite më parë Kosova ishte një vend i betejave, një vend ku bijtë më të mirë të saj luftonin jo pse e zgjedhën luftën, por sepse zjarri i flakës së saj e parandaloi shuarjen e një kombi fisnik, parandaloi robërinë që solli aq shumë vuajtje.

Ishte viti 1998 kur Ahmet Alush Pantina, një djalosh nëntëmbëdhjetë vjeçar, i shërbente atdheut në shumë fushëbeteja duke mos e kursyer jetën e vet sepse e kishte të qartë se vetëm lufta çlirimtare do të ishte drita drejt lirisë. S’kishte zgjidhje tjetër dhe nënshtrimi nuk ishte opsion.
Më duhet ta them këtu se në përgatitjen e një luftëtari të lirisë sigurisht se ka një rol të veçantë edhe familja. Po veçoj këtu ndikimin e nënës, pasi ajo tani ka ndërruar jetë, dhe e cila tek Ahmeti ushqeu idealin dhe trimërinë, dashurinë e pamasë ndaj familjes e atdheut. Një kontribut shumë frymëzues kishte dhënë edhe axha i Ahmetit, Beqiri, i cili që në vitet e tetëdhjeta u përball me përndjekjet e pushtetit serb, dënimet me burg, të cilat i sfidoi me veprimtari atdhetare duke mos iu përgjigjur asnjëherë që të burgosej.

Ahmeti frymëzohet edhe nga pjesëtarët e parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët kishte pasur rastin t’i njihte falë prindit të tij, Alushit, i cili njëherit ishte prej themeltarëve të UÇK-së, që iu bashkangjit gjatë kohës që vepronte në ilegalitet. Duke qenë në dijeni për ngjarjet e mëdha që përgatiteshin në sferën e luftës guerile të UÇK-së, fillon t’u shërbejë, duke marrë përgjegjësi në bartje armësh dhe mbajtje kontaktesh dhe porosish. Kjo e kishte bërë të përgatitur për atë se çfarë është lufta çlirimtare, nga cili burim ta ushqente atdhedashurinë e tij, çfarë i duhet atdheut.

Në kohët kur makineria shtetërore e Serbisë kryente gjenocid ndaj popullit të Kosovës, Ahmeti ishte bërë pararoje për t’u përballur vetë me zjarrin e armikut. Në atë përballje, në të cilën merr pjesë vetëm ai që e do shumë lirinë, fillon epokën e heroizmit. Në sheshbetejën e lirisë ishin ata që kishin më së shumti dashuri për atdheun. Ahmeti, ishte djaloshi që luftonte me armikun në errësirën e natës, në vapën e madhe të diellit, në front të hapur, në sulme diversante. Ishte aty ku ishte e nevojshme të jetë trimëria, guximi për t’i thyer mitet e rrejshme se Serbia është shteti që nuk thehet. Morali i djemve të UÇK-së, këtyre luftëtarëve të lirisë, kishte sjellë fryte konkrete. Popullata fillonte t’i shijonte për herë të parë zonat e lira, uniformën ushtarake të bijve të tyre, trofetë e luftës, dhe ua shihte fëmijëve të tyre buzëqeshjen në fytyrë. Idealet për bashkim kombëtar, për shtet të fuqishëm që garanton paqen për qytetarët e saj, tashmë shikoheshin me shpresë të madhe falë përkushtimit të luftëtarëve të lirisë.

Ahmeti nuk do ta kursente vetën në rrugët e betejave, në rrugët që kërkonin sakrificë, jo pse nuk e donte jetën, por, pse donte t’i jepte kuptim jetës, t’i jepte atë që i mungonte, – LIRINË.

Të gjithë dëshmorët kishin mundësi të ndryshme, interesa vetjake, karrierë personale. Por, që të gjithë hynë në një rrugë, dhe, për të rrugëtuar fuqishëm në atë rrugë, për të sakrifikuar atë që është shumë e shtrenjtë, jetën personale në emër të lirisë kolektive, të asaj që është më se njerëzore. I tejkaluan dallimet, i bashkuan forcat, e bënë që të triumfojë dashuria për njerëzimin, për kombin, për familjen, për paqen e mbarë njerëzimit.

Asgjë s’mund ta mund dashurinë për të drejtën e njeriut!

Kjo sepse vet Zoti i Madhërishëm ia fali njeriut lirinë për të frymuar në tokë për aq sa do të jetojë mbi të, për aq sa do të ec mbi të, për aq sa do të flasë dhe veprojë.

Asgjë s’mund ta mund dëshirën për të jetuar i lirë!

Kjo sepse kërkimi i lirisë është ndër veprat më fisnike, e fisnikëria i takon vetëm njerëzve më të mirë. Ata e rrëmbejnë atë që u takon, dashurinë për lirinë, dhe, me forcën e kësaj dashurie lëshojnë shpresë për lirinë e të gjithëve. Ata e këpusin atë zinxhir frymënxënës dhe, ngriten aty ku dashuria njerëzore lë shenja përjetësie. Dhe, ne, ajo ana më njerëzore e jona iu shpreh falënderimet më të sinqerta.
Faleminderit që na e këputët atë zinxhir robërie!

Zoti i mëshiroftë të gjithë dëshmorët e Kosovës!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këshilli i Ministrave ka shkarkuar Erion Veliajn si kryebashkiak i…