KOK-u kërkon nga qeveria lejimin e zhvillimit të aktiviteteve sportive

09 shtator 2020 | 17:38

Komiteti Olimpik i Kosovës ka kërkuar nga qeveria që ta lejojë zhvillimin e aktiviteteve sportive, pasi ndërprerjet e stërvitjeve shkaku i pandemisë Covid-19 kanë ndikuar në zvogëlimin e numrit të sportistëve, edhe në shuarjen e shumë klubeve.

Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës ka shqyrtuar me prioritet gjendjen në sportin e Kosovës dhe ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta lejojë zhvillimin e përgatitjeve të klubeve dhe organizimin e aktiviteteve të tjera sportive. Sipas KOK-ut, pandemia Covid-19 ka lënë pasoja të mëdha në sportin e Kosovës, ku është zvogëluar numri i sportistëve dhe klubeve sportive. “Qeveria e Republikës së Kosovës duhet ta lejojë zhvillimin e përgatitjeve për klube dhe organizimin e aktiviteteve të tjera sportive. Ndërprerjet e stërvitjeve shkaku i pandemisë Covid-19 kanë ndikuar në zvogëlimin e numrit të sportistëve nëpër klube, rrjedhimisht edhe shuarjen e klubeve”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.

Sipas Komitetit Olimpik, shumë trajnerë të klubeve kanë jetuar vetëm nga zeja e trajnerit dhe ndërprerja e stërvitjeve ka ndikuar në varfërimin e skajshëm të tyre, andaj kërkohet nga Qeveria e Kosovës që 5 milionë euro të premtuara nga qeveria Kurti për mbështetje të sportit, kulturës e rinisë të ndahen me urgjencë dhe, po ashtu, të trajtohet mundësia që për sport të ndahen mjete financiare shtesë, sepse humbjet në sport, përveç të tjerash, janë të mëdha edhe në aspektin financiar. “U kërkua, po ashtu, nga Qeveria e Kosovës që pesë milionë euro të premtuara nga qeveria Kurti për mbështetje të sportit, kulturës e rinisë të ndahen me urgjencë dhe, po ashtu, të trajtohet mundësia që për sport të ndahen mjete financiare shtesë, sepse humbjet në sport, përveç të tjerash, janë të mëdha edhe në aspektin financiar”, thuhet në njoftimin e KOK-ut.

Në mbledhjen e BE të KOK-ut u diskutua edhe për të gjetur një laborator të licencuar ndërkombëtarisht, në të cilin do t’i kryenin testet sportistët e të gjitha sporteve, para pjesëmarrjes në gara ndërkombëtare.

Drejtuesit e KOK-ut janë të gatshëm që të takohet me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj dhe me personat përkatës vendimmarrës, për ta dhënë kontributin e tyre profesional, në mënyrë që me propozimet e dhëna, ta bëjnë më të lehtë vendimmarrjen nga institucionet përkatëse.

Fillimi i kampionatit në futboll shtyhet për një javë

Pavarësisht se Federata e Futbollit e Kosovës më herët kishte marrë vendim që garat të fillojnë më 12 shtator, kjo nuk do të ndodhë dhe fillimi i kampionatit është shtyrë për një javë. “Kjo gjendje ka vënë në vështirësi edhe aspektin financiar të klubeve, kështu që FFK-ja do të përpiqet që t’i ndihmojë klubet brenda mundësive të veta buxhetore dhe përmes donatorëve të tjerë, në mënyrë që të përballohet sa më lehtë kjo situatë”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

(Veton ZYMBERI)

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit