KOK-u nënshkroi kontratën për Bursën Olimpike me mundësin Egzon Shala

03 qershor 2020 | 15:54

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) ka nënshkruar kontratën me mundësin Egzon Shala, i cili do të përfitojë Bursën Olimpike “Tokio 2020”. Kontrata u nënshkrua nga presidenti i KOK-ut, Besim Hasani, mundësi Egzon Shala, kryetar i Federatës së Mundjes së Kosovës, Naim Muja dhe trajneri Sylejman Shala.

Me fitimin e normës Olimpike “Tokio 2020” nga Shala, KOK-u kishte kërkuar nga Solidariteti Olimpik (SO) i Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (KON-it), që garuesit t’i mundësohet bursa Olimpike në vend të karateistit Alvin Karaqi, të cilit i ishte ndërprerë, pasi vendosi të përfaqësojë Shqipërinë.

Me kontratën e nënshkruar, prej 1 maj 2020, Shala do të përfitojë nga 350 dollarë nga SO i KON-it. Krahas kësaj, presidenti Hasani bëri me dije se Egzoni do të përfshihet në grupin e parë të sportistëve elitarë, të cilët mbështetën nga KOK-u me dërgimin në përgatitje jashtë vendit për periudhën 80 ditë gjatë një viti kalendarik.

“Lajmi se Egzon Shala ka fituar normën Olimpike ishte një lajm që ka gëzuar tërë komunitetin e sportit, veçanërisht mundjen, trajnerin dhe vetë Egzonin. Sot është rasti ta përgëzojmë Egzonin, për një sukses të jashtëzakonshëm, trajnerin dhe federatën për një punë të mirë të bërë, sepse asnjë rezultat nuk vjen rastësisht. Janë diku 50 për qind e shteteve që nuk e arrijnë asnjë normë Olimpike, ndërsa Kosova tashmë ka normën Olimpike me mundjen dhe xhudon që ka pesë të tilla”, ka thënë presidenti Hasani, duke shpresuar se edhe ndonjë sportistë i sporteve tjera të fitojë normën Olimpike, e pse jo edhe ndonjë tjetër nga vetë mundja.

Shala ka fituar normën në kategorinë -125 kilogramë, pasi doli i pesti në botërorin e mbajtur në Astana të Kazakistanit, vitin e kaluar. 29-vjeçari, duke falënderuar KOK-un dhe IOC-un për mbështetjen, ndihet i sigurt se në Tokio 2020 do të ngjitet në podium.

“Dua t’i siguroj që të gjithë sportdashësit se besoj që ka ardhur koha që edhe për meshkuj të fitojmë medalje. Gjatë këtij një viti sa ka mbetur, shpresoj të përgatitem sa më mirë dhe jam më se i sigurt se do të fitojë medalje Olimpike”, ka thënë garuesi nga Suhareka.

Kryetari i FMK-së, Naim Muja, falënderoi KOK-un për mbështetjen me bursë Olimpike dhe përgatitje, derisa theksoi se vullneti i madh i sportistëve, trajnerëve dhe udhëheqësve ka bërë që mundja të përfaqësohet me normë Olimpike në Tokio 2020, derisa pret që edhe Edon Shala dhe mundës tjerë të fitojnë normën.

Trajneri i Egzonit, njëherit prindi, Sylejman Shala, derisa vlerësoi mbështetjen e KOK-un, me theks të veçantë dërgimin në kampe përgatitore, theksoi se mundja e ka arritur nivelin që e ka pasur më herët. “Do të bëjmë të pamundurën që edhe mundja të ketë medalje në Tokio 2020”. Bursa Olimpike nga SO i KON-it marrin 18 sportistë elitarë të Kosovës. Lojërat Olimpike Tokio 2020, të cilat u shtyn në mars të këtij viti, mbahen prej 23 korrik 2021 – 8 gusht 2021.

(V.Z / Epoka e re) 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me propozimin e Nismës Socialdemokrate, Skënder Reçica edhe një herë…