Kokëfortësia e LV-së dhe LDK-së, e pakuptimtë

30 janar 2020 | 14:09

Analisti politik Shkëlzen Maliqi ka bërë me dije se marrëveshjen për bashkëqeverisje në mes të Lëvizjes Vetëvendosje (LV) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) po e pengojnë qëndrimet e ngurta të dy palëve.

Ai ka vlerësuar se tërheqja nga pozicionet aktuale nuk do të thotë humbje për asnjërën parti.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Maliqi ka thënë se më e arsyeshme do të ishte që të bisedohej me këtë përkushtim për personat që do të t’i udhëheqin resorët.

“Marrëveshjen e pengon qëndrimi i ngurtë i të dy palëve sepse nuk po kanë vullnet që të bisedojnë për nuancat që i ndajnë nga zgjidhja. Në këtë rast tërheqja nuk do të thotë assesi humbje. Më e arsyeshme do të ishte nëse do të bisedohej me këtë përkushtim për personat që do t’i marrin resorët dhe përgjegjësit dhe si do të realizohet programi për të cilin është thënë se u realizuan më lehtë se kjo çështja e posteve”, ka thënë Maliqi.

Megjithatë, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që koalicionin mes këtyre dy subjekteve politike po e pengon diçka tjetër. Sipas Maliqit, të dyja palët mund ta ndiejnë peshën e shtuar të përgjegjësisë para proceseve të vështira që e presin qeverinë e re. “Mbase keni të drejtë kur supozoni se duhet të ketë edhe diçka tjetër që e motivon mosbesimin e ndërsjellë. Nuk dua të psikologjizoj, por të dyja palët, si duket e ndiejnë peshën e shtuar të përgjegjësisë para proceseve të vështira që e presin qeverinë e re, siç janë vazhdimi i dialogut dhe arritja e marrëveshjes obliguese me Serbinë në kushtet kur nuk dihet se çka mund të sjellë ajo, pastaj pasojat e Gjykatës Speciale, luftimi i korrupsionit dhe vendosja e sundimit të ligjit si dhe një mori problemesh ekonomike dhe të tjera që janë neglizhuar tash e sa vite”, është shprehur Maliqi.

Ai ka vlerësuar se nëse dështon arritja e këtij koalicioni përgjegjësia do të jetë e të dy partive. Sipas Maliqit, kokëfortësia e këtyre dy subjekteve politike është e pakuptimtë. “Nuk jam i sigurt se kujt do t’i mbetet kilja, siç thotë një shprehje popullore. Nga bisedat që kam me njerëzit, kam përshtypjen se shumica i fajëson të dyja palët, mbase për faktin që përmenda më herët, se dallimet janë aq të vogla që kjo kokëfortësi bëhet e pakuptimtë, lexohet vetëm si lakmi për pushtet”, është shprehur analisti Maliqi.

“Epoka e re”: Z. Maliqi, pa ndonjë sukses ka përfunduar edhe takimi i së martës ndërmjet LV-së dhe LDK-së, në të cilin ishin të pranishëm edhe ambasadorët e vendeve të Quintit. Çfarë po ndodhë me negociatat në mes të këtyre dy partive?
Maliqi: Është një bllokadë për arritjen e koalicionit sepse asnjëra prej palëve nuk zmbrapset nga qëndrimet e ngurta, edhe pse thonë se janë shumë afër marrëveshjes. Aktualisht, sa dimë, kontestuese është pozita e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, i cili post është i zënë, Kuvendi më 26 dhjetor e zgjodhi Glauk Konjufcën edhe me votat e deputetëve të LDK-së. Lëvizja Vetëvendosje konsideron se rreth këtij posti nuk ka kthim prapa, se duhet t’i mbetet Glauk Konjufcës, kurse LDK-ja kërkon që ai të tërhiqet dhe t’i bëjë vend kandidatit të LDK-së. Nga ana tjetër, LV-ja ofron si kompensim një post shtesë ministror, kurse LDK-ja mendon se me këtë nuk sigurohet bilanci i duhur i ndarjes së pushtetit. As ambasadorët e Quintit, që kësaj here nuk kanë qenë komplet në numër, nuk kanë sjellë ndryshim, edhe ashtu kanë qenë vetëm vëzhgues, nuk kanë ndikuar ose dirigjuar me vendimmarrjen.

“Epoka e re”: Pas takimit palët fajësuan njëra-tjetrën se nuk po lëshojnë pe. A ka ende shpresë se mund të ndodhë një koalicion i tillë?
Maliqi: Shikuar nga jashtë, sepse nuk e dimë se si është atmosfera brenda bisedimeve, dallimet në qëndrime vërtet nuk janë të mëdha, dhe besoj se do të mund të zgjidheshin ditëve në vijim. Edhe nëse janë konsideruar opsionet e tërheqjes dhe pajtimit, më duket se ato janë lënë për moment të fundit, ndërkohë që për çdo rast, nëse dështon koalicioni, kërkojnë alibi në fajësimin e partnerit se tjetri nuk po lëshon pe. Mendoj se edhe ftesa për praninë e ambasadorëve ka pasur këtë qëllim, që ambasadorët të “binden” dhe bëhen dëshmitarë se kush është fajtor. Kjo po më duket një sjellje politikisht krejtësisht e papjekur.

“Epoka e re”: Kush mendoni se po e pengon një marrëveshje LV-LDK?
Maliqi: Marrëveshjen e pengon qëndrimi i ngurtë i të dyja palëve sepse nuk po kanë vullnet që të bisedojnë për nuancat që i ndajnë nga zgjidhja. Në këtë rast tërheqja nuk do të thotë assesi humbje. Më e arsyeshme do të ishte nëse do të bisedohej me këtë përkushtim për personat që do të marrin resorët dhe përgjegjësitë dhe si do të realizohet programi për të cilin është thëne se u realizuan më lehtë se kjo çështja e posteve. Por, ju mbase keni të drejtë kur supozoni se duhet të ketë edhe diçka tjetër që e motivon mosbesimin e ndërsjellë. Nuk dua të psikologjizoj, por të dyja palët si duket e ndiejnë peshën e shtuar të përgjegjësisë para proceseve të vështira që e presin qeverinë e re, siç janë vazhdimi i dialogut dhe arritja e marrëveshjes obliguese me Serbinë në kushtet kur nuk dihet se çka mund të sjellë ajo, pastaj pasojat e Gjykatës Speciale, luftimi i korrupsionit dhe vendosja e sundimit të ligjit si dhe një mori problemesh ekonomike dhe të tjera që janë neglizhuar tash e sa vite.

“Epoka e re”: Nëse dështon arritja e këtij koalicioni, e kujt do të ishte përgjegjësia?
Maliqi: Nuk jam i sigurt se kujt do t’i mbetet kilja, siç thotë një shprehje popullore. Nga bisedat që kam me njerëzit, kam përshtypjen se shumica i fajëson të dyja palët, mbase për faktin që përmenda më herët, se dallimet janë aq të vogla që kjo kokëfortësi bëhet e pakuptimtë, lexohet vetëm si lakmi për pushtet.

“Epoka e re”: Cilat janë alternativat pas dështimit të koalicionit LV-LDK, qeveri gjithëpërfshirëse apo zgjedhje të reja?
Maliqi: Mendoj se nuk do të ketë nevojë për alternativë, por nëse koalicioni dështon, presidenti e ka rolin kyç në gjetjen e rrugëdaljes, të konsultohet për një mandatar të dytë, që nuk më duket shumë e mundshme, ose të përsëriten zgjedhjet. Disa po e përmendin qeverinë e spektrit të gjerë ose qeverinë teknike, por edhe këto opsione do të jenë tema që i konsulton presidenti nëse ka disponim për këtë, dhe pastaj ta propozojë kandidatin i cili mund ta sigurojë shumicën, gjithsesi me kusht që qeveria e gjerë ose ajo teknike, të janë të afatizuara për një periudhë të caktuar një deri dyvjeçare. Kjo për faktin se nëse zgjedhjet do të mbaheshin në këtë pranverë, ekziston rreziku që të përsëritet bllokada si kjo që e kemi, pasi që zakonisht në afatet e shkurtra disponimi i elektoratit edhe nuk ndryshon aq shumë, ose edhe ndryshimet nuk do të sjellin raport mes rezultateve të forcave.

(Muhamet KOCI)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Numri i përdoruesve të Facebook-ut ka arritur në 2,5 miliardë…