
Kolaj nga IKD-ja kërkon mbështetje për mbrojtjen në Hagë: Jemi shumë vonë, përkrahja nuk është ndërhyrje
Astrit Kolaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar lidhur me rrezikun që ekipi i Hashim Thaçit të mbetet pa avokatin kryesor, Luka Misetiq.
Kolaj ka thënë se Kosova është vonuar në mbështetjen financiare. Sipas tij, përkrahja nuk është ndërhyrje, por sigurim i kushteve të barabarta.
“Bartësit e institucioneve të Republikës së Kosovës e kanë obligim ligjor, nëse jo moral dhe politik, që të sigurojnë mbështetje financiare adekuate për mbrojtjen juridike të qytetarëve të saj në këtë proces”, ka shkruar Kolaj në “Facebook”.
Postimi i plotë:
Mbështetja financiare pa kushte për ish-krerët e UÇK-së është jetike
Procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë ndodhet në një moment kyç. Faza kur ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit duhet të fillojnë paraqitjen e provave dhe argumenteve të tyre është jetike.
Duke lënë anash në këtë moment mangësitë që e kanë përcjellë këtë proces deri me tani, është e papranueshme që në këtë fazë vendimtare të këtij procesi, Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit të mos i ofrohet mbështetje e plotë FINANCIARE nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Fatkeqësisht, ka sinjale shqetësuese se, për shkak të mungesës së buxhetit, avokati kryesor i Thaçit, Luka Mishetiq, mund të largohet nga mbrojtja.
Në çdo diskutim publik (debate televizive, prononcime etj.), ku Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) – i cili që nga fillimi e ka monitoruar këtë proces në baza ditore, ka qenë i përfaqësuar për të diskutuar për këtë temë, është theksuar se: më e rëndësishme sesa të merremi me argumentet pro dhe kundër se a është dashur apo jo të themelohet kjo gjykatë, apo të kërkojmë fajtorët për themelimin e saj, ose të mbrojmë ata që e kanë themeluar, është të fokusohemi në mbështetjen financiare që institucionet e Republikës së Kosovës janë duke ofruar për të akuzuarit në këtë gjykatë dhe rëndësinë që ka kjo mbështetje për ta.
Bartësit e institucioneve të Republikës së Kosovës e kanë obligim ligjor, nëse jo moral dhe politik, që të sigurojnë mbështetje financiare adekuate për mbrojtjen juridike të qytetarëve të saj në këtë proces.
Kjo mbështetje financiare nuk po kërkohet për subjekte individuale, por për një ish-President, dy ish-kryetarë Kuvendi dhe një ish-deputet të Republikës së Kosovës, të cilët nga kjo gjykatë po akuzohen në cilësinë e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Mbështetja financiare nuk nënkupton ndërhyrje në drejtësi, por sigurimin e kushteve të barabarta në gjykim.
Jemi mësuar që sa here të bëjmë një kërkesë, të themi është momenti i fundit. Jo, në këtë rast jemi vonuar tepër shumë, por me mirë vonë se kurrë. Institucionet e Republikës së Kosovës duhet të mbështesin, pa kushte, financiarisht mbrojtjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po akuzohen për luftën që bënë për të mbrojtur vendin e vet nga një agresor i jashtëm siç ishte aparati shtetëror serb.