Kolegjet ofrojnë vullnetarë për zbatimin e Programit Nacional për Rinin

07 shkurt 13:13

Me qëllim të implementimit të Programit Nacional për Rininë edhe për studentët e Kolegjit Heimerer, Rexhep Hoti, koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me zëvendësdrejtoreshën e bordit të këtij kolegji, Naime Brajshori.

Koordinatori Hoti ka thënë se ky program parasheh përfshirjen e rreth 110.000 studentëve nga të gjitha universitetet dhe kolegjet e Kosovës në garën e sportit dhe kreativitetit kulturor e mendimit kritik si një mundësi për të treguar talentet e tyre.

“Me Programin Nacional për Rininë studentët do të kenë mundësi që të marrin pjesë në një garë që është e hapur për të gjithë studentët në Republikën e Kosovës pa dallim. Studentët do të kenë mundësi të tregojnë aftësitë e veta sportive e kreative dhe më të mirët e këtyre fushave do të shpërblehen. Ky program nuk është vetëm garë, por është filozofi në vete sepse do të zhvillojë frymën garuese dhe do të zhvillojë mendimin kritik në mesin e të rinjve”, ka thënë koordinatori Hoti.

Në anën tjetër, zëvendësdrejtoresha Brajshori ka thënë se kanë mirëpritur idenë e bashkëpunimit me hoordinatorin Hoti.

“Ne si kolegj jemi shumë të gatshëm ta mbështesim këtë program. Si rezultat i këtij bashkëpunimi dhe asistimi të ndërsjellët, studentët tanë do të jenë pjesë e aktiviteteve që synojnë promovimin dhe zhvillimin e kulturës, sportit e diturisë”, është shprehur Brajshori.

Edhe udhëheqësi i kolegjit Nehat Mustafa ka premtuar mbështetje për aktivitetet e programit, duke thënë se do të kenë të gatshëm 100 studentë vullnetarë për të ndihmuar në zbatimin e projektit.

Në takim Hoti u shoqërua nga zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Leonora Morina-Bunjaku si dhe zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë Azem Guri.

Ata dhanë mbështetjen e ministrive që përfaqësojnë për Koordinatorin Hoti duke thënë se presin që ky program të ndikojë pozitivisht në ngritjen e cilësisë në arsim.

Marrëveshja e bashkëpunimit përcakton angazhimet e ndërsjella të palëve nënshkruese për implementimin e Programit Nacional për Rininë dhe për organizimet e përbashkëta të aktiviteteve që kanë të bëjnë me përfshirjen e studentëve në garat e kreativitetit kulturor dhe mendimit kritik si dhe të sportitë.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara