Kolegji AAB nderon ish-kryeministrin e Italisë

06 qershor 2018 | 13:27

Ish-kryeministri i Italisë, Massimo D’Alema është nderuar nga Kolegji AAB me çmimin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut.

Ky çmim i është ndarë për kontributin e tij dhënë për lirinë e Kosovës.

Pas pranimit të këtij çmimi, D’Alema ka folur për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ai thënë se një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, do të nënkuptonte hapjen e rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

D’Alema ka thënë se do të jetë një mbështetës i fuqishëm për një marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, me qëllim që të dy shtetet të ecin përpara.

Më tutje ai ka theksuar se lidershipi i Kosovës është duke punuar në drejtim të duhur. Në këtë kontekst, ai ka shprehur gatishmërinë e tij që të organizojë një lobin të fuqishëm për Kosovën.

Gjatë qëndrimit në Kolegjin AAB, D’Alema ka folur edhe për periudhën sa ishte kryeministër, ku në Kosovë bëhej luftë. Ai treguar edhe se si i kanë bërë presion ish-presidentit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq dhe për bashkëpunimin me ish-presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova.

Ndërsa, rektori i AAB-së, Lulzim Tafa ka thënë se ky çmim po i ndahet Massimo D’Alema për kontributin e tij që ka dhënë për krijimin e paqes në Kosovë.

Tafa ka thënë se AAB-ja ofron mundësi mësimore për të gjitha komunitetet në Kosovë, me qëllim të ndërtimit të një të ardhme të përbashkët për Kosovën.

I pranishëm në ceremoninë e ndarjes se çmimit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut nga kolegji AAB për kryeministrin italian, Massimo D’Alema, ishte edhe zëvendëskryeministri i parë, Behgjet Pacolli.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetët e Partisë Socialdemokrate (PSD), Aida Dërguti dhe Dardan Molliqaj, së…