Kolegji Heimerer i bashkohet nismës evropiane për Zero Tolerancë ndaj Dhunës me Bazë Gjinore në Akademi
Kolegji Heimerer është bërë pjesë e nismës evropiane GenderSAFE – Ending Gender-Based Violence in Academia, e cila synon të ndërtojë një mjedis akademik të sigurt, të respektueshëm dhe pa dhunë me bazë gjinore në institucionet e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Evropë.
Në kuadër të kësaj nisme, Dr. Shukrije Rama, nga Kolegji Heimerer, ka nënshkruar Zotimin për Zero Tolerancë ndaj Dhunës me Bazë Gjinore, duke e renditur Kosovën ndër vendet që mbështesin Kodit Evropian të Sjelljes për Zero-Tolerancë, të zhvilluar nga Komisioni Evropian në bashkëpunim me ERA Forum Sub-group “Inclusive Gender Equality in the ERA”.
Emri i Kolegjit Heimerer tashmë figuron në listën zyrtare të pjesëmarrësve të nismës GenderSAFE, krahas universiteteve të njohura si King’s College London (Mbretëria e Bashkuar), University of Inland Norway (Norvegji) dhe Universidad Nacional de Educación a Distancia (Spanjë).
GenderSAFE, mbështet zbatimin e Zero-Tolerance Code of Conduct, që përcakton 20 parime themelore të ndara në tri shtylla: Angazhim, Veprim dhe Llogaridhënie.
Këto parime udhëzojnë institucionet e arsimit të lartë të ndërmarrin veprime konkrete kundër dhunës me bazë gjinore, të mbështesin viktimat dhe të krijojnë kultura institucionale që promovojnë siguri dhe respekt për të gjithë.
Me këtë rast, Kolegji Heimerer bëhet zëri i Kosovës në rrjetin evropian të institucioneve që angazhohen për barazi gjinore, dinjitet dhe drejtësi në akademi.



