Kolegji ISPE kërkon hetim ndërkombëtar për Agjencinë e Akreditimit

21 janar 2020 | 18:25

Kolegji ISPE përmes një komunikate për media u është bashkuar thirrjeve të fundit të disa anëtarëve të Bordit të Agjencisë së Akreditimit (KSHC) për Prokurorinë e Shtetit për të ndërmarrë hetime sa i përket manipulimeve dhe orkestrimeve të procesit të akreditimit nga ana AKA-së.

“Ne nga Kolegji ISPE ofrojmë gatishmërinë tonë për bashkëpunimin e plotë me organet kompetente të shtetit në këtë drejtim. Gjithashtu përmes kësaj komunikate dëshirojmë të informojmë opinionin e gjerë publik, por edhe institucionet se, thirrjet e disa anëtarëve të Bordit të Agjencisë së Akreditimit (KSHC), që i referohen orkestrimeve dhe manipulimit të procesit të akreditimit nga ana e vetë Agjencisë në fjalë”, thuhet në komunikatën e Kolegjit ISPE.

Komunikata e plotë e Kolegjit ISPE:

Dëshirojmë të tërheqim vëmendjen se thirrjet e fundit të disa anëtarëve të Bordit të AKA-së nuk përfshijnë të gjitha shkeljet ligjore të kryera nga ana e këtij institucioni. Ne dëshirojmë të tërheqim vëmendjen e opinionit të gjerë dhe institucioneve të Kosovës si në vijim:

I. Përjashtimi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga ENQA dhe EQAR

1. Kolegji ISPE qysh me datë 8 gusht 2018 në një Konferencë për shtyp të organizuar në ambientet e Kolegjit ISPE, ka informuar opinion e gjerë publik por edhe Institucionet e Shtetit të Kosovës se për të gjitha shkeljet nga ana e Agjencisë së Akreditimit në raport me Kolegjin ISPE, do të informojmë agjencitë e specializuara Evropiane në fushën e arsimit përkatësisht ENQA dhe EQAR. Në të njëjtën kohë për hire të transparencës e kemi publikuar edhe tekstin e letrës që i’a kemi drejtuar ENQA-së dhe EQAR në atë kohë;

2. Në shtator të vitit 2019, Agjencia e Kosovës për Akreditim përjashtohet nga ENQA dhe EQAR. Në arsyetimin e përjashtimit në letrën e datës 1 tetor 2019 të Presidentit të Bordit të ENQA-s, z. Christoph Grolimund, drejtuar ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Agjencisë së Akreditimit, z. Avni Gashi, listohen pothuajse arsyet e njëjta për të cilat përjashtohet Agjencia e Akreditimit, të cilat Kolegji ISPE i kishte bërë publike në gusht të vitit 2018;

3. Në dokumentin e përjashtimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga ENQA dhe EQAR theksohet po ashtu se AKA-ja nuk ka të drejtë aplikimi për dy vitet e ardhshme, shto këtu edhe periudhën e vlerësimit pas eventualisht aplikimit. Si pasoj e kësaj Kosova do të jetë për së paku katër vitet e ardhshme jashtë agjencive kryesore evropiane dhe rrjedhimisht të gjithë studentët e Kosovës do të kenë probleme të mëdha në njohjen e diplomave të tyre në të gjitha vendet anëtare të ENQA-së dhe EQAR-it;

4. Edhe pas përjashtimit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim nga ENQA dhe EQAR nuk është ndërmarr asnjë masë për përmirësimin e situatës në këtë Agjenci nga ana e institucioneve të shtetit të Kosovës. Përkundrazi çështja e përjashtimit është heshtur dhe nuk përmendet fare, edhe pse kjo është humbja më e madhe në sistemin e arsimit të lartë në dy dekadat e fundit;

5. Prokuroria e shtetit duhet të orientojë hetimet e saja për të zbuluar se cilat janë shkaqet që çuan deri në përjashtimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe kush janë përgjegjësit e kësaj situate me pasoja të mëdha për më shumë se 100.000 studentë Kosovar.

II. Veprimtaria e Agjencisë së Kosovës për Akreditim në raport me Kolegjin ISPE pas përjashtimit të saj nga ENQA dhe EQAR

1. Agjencia e Kosovës për Akreditim qëllimshëm ka vonuar trajtimin e aplikacionit të Kolegjit ISPE deri në momentin e skadimit të afatit të lejeve të qëndrimit të stafit të deklaruar nga Kolegji ISPE. Në momentin e skadimit të afatit të lejeve të qëndrimit të stafit të deklaruar nxjerr vendim për refuzimin e tërësishëm të Kolegjit ISPE, me arsyetimin se lejet e qëndrimeve të stafit të deklaruar kanë skaduar. Ftojmë Prokurorin e shtetit që në mënyrë specifike ta hetojë edhe këtë rast ndër të tjera shkelje të Agjencisë Së Kosovës për Akreditim;

2. Në tetor të vitit 2019 Agjencia e Akreditimit na njofton se ka organizuar vizitën e ekspertëve për vlerësim të programit BA në Infermieri, vetëm tre ditë para se të ndodhte vizita e ekspertëve në fjalë, e që është në kundërshtim me aktet ligjore që e rregullojnë procesin e akreditimit dhe normalisht është e pa mundur që brenda tre ditëve ekspertët në fjalë të mund të vlerësojnë dokumentacionin përkatës prej më shumë se 500 faqe, i cili program është aplikim i përbashkët i Kolegjit ISPE me Universitetin e Seinajokit nga Finlanda e që njohjet e diplomave të studentëve të diplomuar në këtë program nuk do të kishin telashe në njohjen e tyre pasi që të gjithë studentët pjesë e këtij programi, pas diplomimit do të pajiseshin me diplomë nga Finlanda.;

3. Ekspertët në fjalë të kontraktuar nga AKA-ja, për të vlerësuar programin BA në infermieri diplomë e përbashkët, njëri nga ata nuk kishte të bënte asgjë me fushën e infermierisë, ndërsa tjetri dyshohet që është staf i deklaruar i njërit nga institucionet e Arsimit të Lartë në Kosovë. Kjo në fakt paraqet shkelje të ligjit dhe konflikt të drejtpërdrejtë të interesit e që korrespondon plotësisht me atë çka është deklaruar nga disa prej anëtarëve të Bordit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim (KSHC) sa i përket orkestrimeve dhe manipulimeve të procesit të akreditimit dhe normalisht akreditimet apo refuzimin e akreditimeve në mënyrë selektive. Kjo çështje po ashtu duhet të hetohet nga prokuroria e shtetit në mënyrë specifike për çka ne ofrojmë gatishmërinë tonë të plotë për të bashkëpunuar;

4. Edhe pse aplikacioni për Programin Diplomë e Përbashkët në BA Infermieri nga Universiteti i Seinajokit nga Finlanda dhe Kolegji ISPE ishte bërë për vitin akademik 2019/20, sot e asaj dite nuk ka ndonjë përgjigje zyrtare për këtë program nga Agjencia e Kosovës për Akreditim edhe pse tani jemi në fund të semestrit respektiv;

5. Për ketë program Universiteti partner nga Finlanda dhe Presidenti i Konferencës së Rektorëve nga Finlanda i ishte drejtuar të gjitha institucioneve respektive në Kosovë dhe nuk ishte ndërmarr asnjë veprim nga institucionet e Republikës së Kosovës. Pas kësaj të njëjtit i drejtohen agjencive të specializuara evropiane ENQA dhe EQAR në lidhje me shkeljet e Agjencisë së Akreditimit të Kosovës. Të gjitha këto çka u thanë më lartë por edhe dëshmi të tjera do të vendosen në dispozicion të prokurorisë së shtetit në raste se prokuroria shpreh interes;

III. Agjencia e Kosovës për Akreditim dhe Avokati i Popullit

1. Pasi që shkeljet e Agjencisë së Akreditimi ishin të vazhdueshme dhe ishin shterur të gjitha mundësit e tjera të animimit në AKA dhe kjo e fundit as nuk përgjigjej në Ankesat e Kolegjit ISPE, duke e injoruar plotësisht të drejtën e Ankesës, Kolegji ISPE i drejtohet Avokatit të Popullit në lidhje me shkeljet e Agjencisë së Akreditimit;

2. Në mars të vitit 2019, Avokati i Popullit në letrën e tij të Rekomandimit për AKA-në, gjenë së AKA-ja në raport me Kolegjin ISPE kishte shkelur të katër ligjet bazë që e rregullojnë këtë proces por edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës sa i përket të drejtave të njeriut. Do të thotë përveç që ka shkelje të ligjeve bazë, Agjencia e Akreditimit në raport me Kolegjin ISPE kishte bërë edhe shkeljen e të drejtave fundamentale të njeriut. Edhe pas kësaj asnjëherë nuk ishte ndërmarr ndonjë masë nga institucionet e shtetit në funksion të përmirësimit të kësaj situate.

IV. Hetim nga një Komision i Specializuar Ndërkombëtar për vendimet e Agjencisë së Kosovës për Akreditim ndaj Kolegjit ISPE

1. Duke e parë që pavarësisht shkeljeve të vazhdueshme nga AKA-ja në raport me Kolegjin ISPE, përjashtimit të saj nga ENQA dhe EQAR, letrës së Institucionit të Avokatit të Popullit dhe raporteve të Inspektoratit të Arsimit, i cili gjenë se AKA-ja kishte nxjerrë vendime të paligjshme në raport me Kolegjin, nuk është ndërmarr asnjë masë në funksion të përmirësimit të gjendjes. Kolegji ISPE ka filluar një proces i cili ka qëllim të shpije në një moment ku një Komision Ndërkombëtar do të hetoj në mënyrë të pa kufizuar AKA-në për gjithë veprimtarinë e saj në raport me Kolegjin ISPE;

2. Dëshirojmë po ashtu të informojmë opinionin e gjerë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, njëjtë sikur në vitin 2018 që kemi qenë transparent sa i përket bashkëpunimit me ENQA-në dhe EQAR-in, në lidhje me raportimin e shkeljeve të AKA-së në raport me Kolegjin ISPE gjithmonë pas shterjes së të gjitha mundësive brenda strukturës institucionale në Kosovë për hapat që janë ndërmarr dhe do të ndërmerren nga Kolegji ISPE dëshirojmë të iu informojmë si në vijim:

a) Kemi kontaktuar një numër të ekspertëve të jashtëm të kontraktuar nga ana e Agjencisë së Akreditimit gjatë viteve për proceset e akreditimeve në Kosovë dhe kemi kërkuar nga ata të dëshmojnë në këtë proces; Një pjesë e konsiderueshme e tyre janë të gatshëm që të ofrojnë dëshmitë e tyre në këtë proces;

b) Kemi kontaktuar ENQA-n dhe kemi kërkuar edhe nga ata që të ofrojnë dëshminë e tyre në këtë proces;

c) Jemi në proces për të kontaktuar UNESC-on, pjesë e të cilës organizatë Kosova dëshiron të bëhet pasi që 40% e aktiviteteve të UNSECO është arsimi; dhe jemi të vetëdijshëm që pas animimit për gjendjen në Agjencinë e Kosovës për Akreditim do të lëndohet edhe më tutje procesi i anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë shumë të rëndësishme dhe për këtë normalisht barra e përgjegjësisë bije te vet kjo Agjenci, përkatësisht tek zyrtarët e saj që e kanë katandisur këtë institucion shtetëror në këtë gjendje;

d) Jemi në proces të inicimit të komunikimit me “International Burea of Education”;

e) Jemi në proces të inicimit të komunikimit edhe me disa organizata dhe asociacione ndërkombëtare, në mënyrë që procesi i hetimit të trajtimit të rastit tonë nga ana e Agjencisë së Akreditimit të trajtohet drejtë dhe të ketë epilog të qartë.

Të nderuar qytetarë dhe institucione të Republikës së Kosovës, neve na vije shumë keq që situata ka degraduar deri në atë masë ku ne jemi detyruar të informojmë ENQA-n dhe EQAR-in për shkeljet e Agjencisë së Akreditimit në raport me Kolegjin ISPE. Si rezultat i kësaj por jo vetëm ka ardhur deri te përjashtimi i Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe si rrjedhojë pasojat e kësaj do t’i bartin studentët dhe vendi ynë. Jemi të vetëdijshëm po ashtu që do të ketë ndikime edhe në procesin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO. Në këto rrethana, përderisa institucionet e vendit nuk kanë pasur vullnetin për ta trajtuar të drejtën ligjore të Kolegjit ISPE dhe shkeljet nga ana Agjencisë së Akreditimit, tani e një dekadë, jemi detyruar të dalim përtej nivelit të Kosovës për të kërkuar të drejtat tona.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bordi Ekzekutiv i Federatës së Hendbollit të Kosovës, nën udhëheqjen…