Komandant Esat Imeri, ikonë e disiplinës, drejtësisë dhe dashurisë për atdheun

05 shtator 2025 | 16:25

Më 1 mars të vitit 1965, në fshatin Koprivë të Mitrovicës, lindi një djalë që më vonë do të bëhej simbol i qëndresës, i disiplinës dhe i besnikërisë ndaj atdheut. Ai është Esat Imeri.

Që nga vitet e rinisë, ai e dëshmoi përkushtimin e tij ndaj çështjes kombëtare, dhe me shpërthimin e luftës, pa hezitim iu bashkua radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, qysh në fillet e para të organizimit të saj.

I njohur në luftë me pseudonimin “Dervishi”, Esati u dallua për seriozitetin dhe vendosmërinë e tij, duke u ngjitur shpejt në radhët e udhëheqjes si komandant i Policisë Ushtarake të UÇK-së në Zonën Operative të Shalës.

Aftësitë e tij organizative, karakteri i fortë dhe përkushtimi ndaj idealeve të lirisë e bënë një figurë të pazëvendësueshme në strukturat ushtarake të UÇK-së. Ai besonte thellësisht se liria nuk fitohet vetëm me armë, por me moral, rregull dhe përkushtim të palëkundur.

Si komandant, ai e mbante rendin dhe disiplinën me një drejtësi shembullore, duke mos toleruar asnjë devijim nga qëllimet e pastra të luftës. Ishte i rreptë, por i drejtë, një udhëheqës që luftëtarët e respektonin pa kushte. Në vijën e frontit, komandant Esati nuk qëndronte kurrë pas, por gjithmonë në ballë. Guximi i tij frymëzonte bashkëluftëtarët, ndërsa sjellja e tij modeste e bënte të dashur për të gjithë.

Ai nuk fliste shumë, por vepronte shumë. Dhe veprat e tij flasin ende sot: për drejtësinë, për besnikërinë, për dashurinë ndaj flamurit dhe për sakrificën më të lartë. Esat Imeri shërbeu me nder deri në ditët e fundit të luftës çlirimtare, duke rënë në altarin e lirisë si një prej bijve më të denjë të këtij vendi.

Sot, emri i tij është i skalitur jo vetëm në gurë përkujtimorë, por edhe në zemrat e një populli që e di mirë se liria u pagua me gjakun e të tillë burrave.

Lavdi e përjetshme komandant Esat Imeri – Dervishi!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetari Adriatik Kelmendi, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese…