Komandantë të UÇK-së i reagojnë Kurtit: Gjuha e tillë i shërben Serbisë

26 maj 2026 | 10:13

Ish-komandantë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i janë kundërpërgjigjur kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, i cili gjatë një tubimi elektoral tha se “nuk ka edhe çlirimtar, edhe zullumqar”, duke e quajtur këtë gjuhë denigruese. Sipas përfaqësuesve të UÇK-së, një gjuhë e tillë më së shumti i shkon për shtati Serbisë.

“Prandaj, ne themi në çdo tubim: nuk ka edhe patriot, edhe hajn. Ose patriot, ose hajn. Nuk ka edhe çlirimtar, edhe zullumqar. Ose çlirimtar, ose zullumqar. E ne jemi bashkë me ju si patriotë e çlirimtarë kundër hajnave e zullumqarëve., ka deklaruar Kurti

Kjo deklaratë e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, e dhënë gjatë një tubimi elektoral në Zvicër, ka ngjallur kritika të ashpra ndër pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët e kanë vlerësuar si gjuhë nxitëse dhe përçarëse ndaj vlerave të UÇK-së. Nënkryetari i OVL-së së UÇK-së, njëherësh ish-komandant i Brigadës 153, Fatmir Sopi, tha se një gjuhë e tillë i shërben më së shumti Serbisë.

“Është për të ardhur keq për njerëz të tillë, të cilët UÇK-në dhe luftën e drejtë çlirimtare e keqpërdorin në fushata parazgjedhore, kur dihet se UÇK-ja nuk i takon asnjë partie politike dhe asnjë individi, por buron nga populli si nevojë për çlirimin nga pushtuesi. Një gjuhë e tillë ndaj komandantëve të UÇK-së, denigruese, është e ligë dhe qyqare, sepse ata e kanë kryer detyrën ndaj atdheut që sot ta kemi Kosovën e lirë dhe të pavarur. Kjo i shërben më së shumti Serbisë. Jam i bindur se nuk i shërben popullit dhe shtetit. Partitë është mirë të merren me programet e tyre dhe jo me të kaluarën tonë të ndritshme”, tha Sopi për rtv21.

Ndërkohë, kandidatja për deputete nga LVV-ja, njëherësh ministre në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, tha se e kanë mbrojtur Kosovën nga komandantët e UÇK-së.

“E mbrojtëm Kosovën nga Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe komandantët e tjerë që deshën me e shitë Kosovën.”, ka deklaruar Pacolli.

Ish-komandanti i UÇK-së, Kadri Kastrati, tha se kjo gjuhë e përdorur nga përfaqësues të LVV-së nuk i bën nder Kosovës, por as vetë subjekteve politike. Sipas tij, qëllimi i pjesëtarëve të UÇK-së ka qenë çlirimi i Kosovës dhe, siç tha ai, etiketimet e tilla nga politikanët janë të turpshme.

“Është e papranueshme, shumë ofenduese dhe shumë e ulët që, si nga kryeministri në detyrë, ashtu edhe nga kushdo tjetër, krerët e UÇK-së dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës në përgjithësi të quhen me terma të ndryshëm. Gjithashtu, edhe në rrjetet sociale po shoh se çfarë po bëhet, duke i ofenduar njerëzit me etiketime të ndryshme. Kjo është shumë e ulët dhe nuk do të duhej të ndodhte. Unë apeloj te ata që udhëheqin shtetin, nga kryeministri te ministrat dhe deputetët, që po përdorin gjuhë ofenduese ndaj njerëzve të UÇK-së, të mos bëjnë gjëra të tilla, sepse nuk i bëjnë nder vetes dhe familjeve të tyre. Sot, 27 vjet pas luftës, të përdoret një fjalor i tillë jo vetëm që është e papranueshme, por është edhe e turpshme.”, tha Kastrati.

Ish-komandantët e UÇK-së u bëjnë thirrje përfaqësuesve politikë që të mos përdorin gjuhë denigruese ndaj pjesëtarëve të UÇK-së për përfitime elektorale.

“Të flasin me një gjuhë më përbashkuese, që UÇK-ja të mos përdoret si kartëmonedhë mes forcave të ndryshme politike.”, u shpreh Sopi.

“Më 12 qershor 1999 është çliruar Kosova, më 2008 është shpallur pavarësia. Treni i vitit 1999 dhe i vitit 2008 ka ikur. Ai që ka dashur ta kapë këtë tren e ka pasur mundësinë, edhe vetë Albin Kurti.”, shtoi Kastrati

Fushata elektorale për zgjedhjet e 7 qershorit zyrtarisht nis të enjten e kësaj jave.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga Arian Zeka Për shumë vite, diskutimet për energjinë në…