
Komandanti i KFOR-it mbledh ambasadorët e vendeve kontribuuese, diskutojnë për situatën e sigurisë pas zgjedhjeve
Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, ka pritur në një takim ambasadorët e të gjitha vendeve kontribuuese të trupave, në shtabin e KFOR-it, në Camp Film City, në Prishtinë.
KFOR-i ka njoftuar se diskutimi në këtë takim ka mbuluar “një gamë të gjerë temash”, duke përfshirë trendet e sigurisë në të gjithë rajonin, situatën në Kosovë pas zgjedhjeve parlamentare në shkurt, takimin e fundit të komandantit të KFOR-it me përfaqësuesin special të BE-së, Peter Sorensen, dhe aktivitetet dhe bashkëpunimin e KFOR-it me komunitetin ndërkombëtar.
“Të gjithë pjesëmarrësit përsëritën rolin kryesor të luajtur nga KFOR-i në mbështetje të stabilitetit rajonal dhe rëndësinë e unitetit të përpjekjeve drejt sigurisë së qëndrueshme për të mirën e të gjitha komuniteteve”, ka njoftuar KFOR-i.