Komandanti i KFOR-it takon përfaqësuesit e 33 vendeve kontribuuese me trupa ushtarake
Komandanti i misionit KFOR të udhëhequr nga NATO, gjeneralmajor Ozkan Ulutash, ka pritur të premten në takim, ambasadorët, krerët e misioneve dhe përfaqësuesit e lartë kombëtarë nga 33 vendet kontribuuese me trupa në shtabin e KFOR-it në “Kampin Film City”, në Prishtinë.
Duke shënuar angazhimin e tij të parë kolektiv me përfaqësuesit e vendeve që kontribuojnë me trupa që nga marrja e komandës, Ulutash e ka përshkruar situatën aktuale të sigurisë në Kosovë, aktivitetet e vazhdueshme të KFOR-it dhe prioritetet kryesore të ardhshme.
Ai ka riafirmuar angazhimin e KFOR-it për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerët ndërkombëtarë, dhe shprehu vlerësimin e tij të sinqertë për të gjitha vendet që kontribuojnë me trupa për mbështetjen e tyre të vazhdueshme.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, ka njoftuar KFOR-i.



