
Kombëtarja e Kosovës grumbullohet për dy ndeshjet e “play-off”-it ndaj Turqisë, objektivi kthimi në Ligën B
Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e vajzave ka nisur fazën përgatitore për dy ndeshjet vendimtare ndaj Turqisë në kuadër të “play-off”-it të Ligës së Kombeve. Ndeshja e parë do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, të premten, ndërsa ajo e dytë në udhëtim në Izmir, ku “Dardanet” do të kërkojnë të realizojnë objektivin e tyre, rikthimin në Ligën B. Nga ana tjetër, Turqia hyn në këto dy përballje me synimin për të mbetur në Ligën B.
Përzgjedhësi i Kosovës, Sami Sermaxhaj, të dy ndeshjet me Turqinë i ka konsideruar si finale. “I kemi dy ndeshje që janë sikur dy finale. Turqia është ekip me mbrojtje shumë të fortë, por ne jemi duke i bërë të gjitha planifikimet e duhura që ndaj tyre të arrijmë rezultat pozitiv. Synimi ynë është të kalojmë në Ligën B. Turqia mbrohet shumë mirë dhe kundërsulmon shpejt, prandaj do të marrim masa që ta kemi lojën nën kontroll dhe ta menaxhojmë si ndeshjen e parë ashtu edhe të dytën. Do të mundohemi të mbrohemi mirë, por edhe të sulmojmë në mënyrë efektive”, ka thënë ai.
Sermaxhaj ka konfirmuar edhe mungesa në grup, mes tyre Genta Feta nga ShBA-ja, e cila për shkak të angazhimeve me klubin nuk ka mundur të udhëtojë, derisa ka pohuar se disa prej futbollisteve do t’i bashkohen ekipit nesër.
Edhe futbollistet janë të vetëdijshme për rëndësinë e këtyre përballjeve. Donjeta Halilaj, ka theksuar se ekipi është në formë të mirë. “Mendoj se forma ime është 100 për qind, sepse vij nga kampionati aktiv ashtu siç vijnë edhe vajzat tjera. Jemi në formë të mirë, jemi një grup kompakt që luajmë bashkë prej kohësh dhe do të japim maksimumin. Këto janë dy ndeshje shumë të rëndësishme, prandaj u bëj thirrje edhe Dardanëve’ të jenë vijnë, sepse përkrahja e tyre është shumë me vlerë në ndeshje si këto”, ka thënë Halilaj.
Ndërsa Lumbardha Misini, ka thënë se motivimi dhe përgatitja janë në nivel të lartë. “Si unë edhe vajzat e tjera e kemi ditur rëndësinë e këtyre ndeshjeve dhe jemi munduar ta mbajmë performancën tonë në nivel të lartë. Besoj që secila prej nesh është më e përgatitur se kurrë dhe jemi gati për këto dy ndeshje. Besoj dhe shpresoj që do ta mposhtim Turqinë, sepse ky është synimi ynë dhe për këtë jemi mbledhur. E gjithë ekipi është në gjendje të mirë fizike dhe besoj se gjithçka do të shkojë mirë”, ka thënë Misini, e cila ka ftuar tifozët “Dardanët” të jenë sa më shumë prezent në stadiumin “Fadil Vokrri”.