
Komisionari i BE-së për zgjerim viziton Tiranën më 28 prill
Komisionari i Bashkimit Evropian (BE) për zgjerimin, Oliver Varhelyi, do ta vizitojë Shqipërinë më 28 prill.
Në Tiranë, Varhelyi do të takohet me kryeministrin Edi Rama.
Vizita e tij vjen përpara se vendet e unionit të marrin një vendim në muajin qershor për uljen në tryezën e parë ndërqeveritare të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.
Sipas “Euro News”, vizita e Varhelyi në Tiranë vjen pas një turi takimesh që zyrtari i lartë i BE do të zhvillojë në Ballkanin Perëndimor. Varhelyi do të zhvillojë takime në Kroaci, Bullgari dhe Maqedoninë e Veriut.
Në deklaratat e tij të mëparshme, kryeministri Rama ka deklaruar se nëse Bullgaria nuk do i heqë veton Maqedonisë së Veriut, Shqipëria do të ndryshojë qasjen e saj për hapjen e negociatave.