
Komisioni Europian do hetojë akuzat se Hungaria ka spiunuar institucionet e BE-së
Komisioni Evropian do të ngrejë një grup të brendshëm për të shqyrtuar akuzat se Hungaria ka spiunuar institucionet evropiane, tha të enjten një zëdhënës i Komisionit.
Akuzat u bënë pas një hetimi të përbashkët nga grupi hungarez i gazetarisë investigative jofitimprurëse “Direkt36” dhe gazetave, përfshirë “De Tijd” të Belgjikës dhe revistën gjermane “Der Spiegel”.
“Komisioni po i merr në konsideratë të gjitha raportimet e sotme, sipas të cilave ka pasur operacione spiunazhi të ndjekura nga një shërbim inteligjence hungarez kundër BE-së dhe anëtarëve të stafit të saj. Komisioni i merr shumë seriozisht akuzat e tilla”, tha zëdhënësi i Komisionit, raporton Reuters. “Ne do të ngremë një grup të brendshëm për të shqyrtuar këto akuza.”
Një zëdhënës i përfaqësisë së përhershme të Hungarisë në BE në Bruksel tha se një ligjvënës i Parlamentit Evropian e pyeti Ministrin e Jashtëm Peter Szijjarto në lidhje me akuzat gjatë një takimi të komisionit të enjten.
“Nuk kam dijeni për ndonjë procedurë që korrespondon me pretendimet e bëra nga këto të ashtuquajtura portale investigative”, u citua t’i ketë thënë Szijjarto ligjvënësit.